Ndryshe prej partive të tjera politike, Lëvizja Vetëvendosje hapjen e fushatës do ta bëjë në qytetin e Gjakovës, atje ku edhe i nisën disa prezantime të ministrave për “punët” që i kanë bërë këto katër vite. Sa, ka bërë në fakt, pushteti i kryeministrit Albin Kurti për gjakovarët, më poshtë do të gjeni disa statistika.
Kurti me parti sot do të qëndrojnë në Gjakovë, atje ku pasdite pritet të bëjnë hapjen e fushatës. Nën sloganin “Cep më cep”, VV-ja do të mbajë tubimin në sallën “Shani Nushi” nga ora 18:00.
Në lidhje me këtë, kryeministri para pak ditësh kishte thënë:
“E nisëm me qytetin historik, qendrën politike e kulturore që ka dhënë kaq shumë për çlirimin e pavarësinë, zhvillimin ekonomik dhe shtetndërtimin demokratik” .
Qeveria, 22 cent për kokë banori në Gjakovë
Në vitin 2023, të dhënat nga një raport i institutit GAP mbi projektbuxhetin ishin komentuar shumë. Aty, tregohej se Qeveria kishte planifikuar ndarjen e 20 mijë eurove për investime të reja në komunën e Gjakovës.
Sipas përqindjes së popullsisë dhe asaj të investimeve të reja, në fund dilte se Qeveria në komunën e udhëhequr nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës planifikonte të shpenzonte 0.22 cent për kokë banori.

Ashtu siç theksohet edhe në raportin e GAP-it, investimet e reja kapitale të Qeverisë nëpër komuna, favorizonin ato që udhëheqen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, janë rreth 22 milionë euro të cilat janë destinuar për projekte specifike në 20 komuna. Mbi gjysma e kësaj shume (52% apo 12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9% të territorit të Kosovës dhe 8% të popullsisë. Ndërkaq, në komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vërehet një ndarje më e balancuar e buxhetit në raport me madhësinë e komunave dhe popullsisë. Ndërkaq, komunat e udhëhequra nga AAK do të përfitojnë vetëm 1% të investimeve të reja kapitale nga niveli qendror përkundër se ato mbulojnë 8% të territorit të Kosovës dhe përfaqësojnë 8% të popullsisë” – thuhej në raport, transmeton Nacionale.
Aty, mes tjerash theksohej se Gjilani i udhëhequr nga VV-ja, përfitonte shumën më të lartë me vlerë shtatë milionë euro.
“Nga komunat që do të jenë përfitueset më të mëdha, veçohet Komuna e Gjilanit, e udhëhequr nga VV, e cila do të përfitojë investime me vlerë 7 milionë euro apo rreth 31% të investimeve të reja të nivelit qendror në komuna për vitin e ardhshëm. Kurse, Komuna e Shtimes, e cila po ashtu udhëheqet nga VV, do të jetë përfituesja e dytë më e madhe me rreth 3.9 milionë euro apo 17.1% të investimeve të reja. Komuna e tretë që do të përfitojë mbi 15% të investimeve kapitale të reja apo rreth 3.5 milionë euro është ajo e Mitrovicës, e udhëhequr nga PDK. Ndërkaq janë 18 komuna të cilat nuk do të përfitojnë fare nga investimet e reja të nivelit qendror në komuna”.
Ndërkohë, një gjë e tillë ishte përmendur edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën:
“Komunat e udhëhequra nga kryetarët nga partitë opozitare, kanë ngritur shqetësimet se fondet e investimeve kapitale të ministrive jo gjithmonë ndahen sipas kritereve objektive…Komunikimi dhe bashkëpunimi mes qeverisë dhe komunave ka nevojë për përmirësim”.