Kurteshi e Alimi nuk i kanë sefte kërcënimet, më 2021 KQZ-në e akuzonin për vepra penale

Para katër vitesh, Lëvizja Vetëvendosje kishte të tjera halle për procesin zgjedhor.

Asokohe, Zyra për Propagandë në këtë subjekt politik grykën e topit e kthente kundër KQZ-së, të cilën e akuzonte për konsumim veprash penale për shkak të vonesave dhe pengesave në votimin nga jashtë.

NACIONALE ka raportuar sot për Sami Kurteshin – përfaqësues i VV-së në KQZ – i cili ka bërë rrëmujë në Qendrën e Numërimit të votave të diasporës.

“Ty t’qesim jashtë nëse vepron kështu”, dëgjohet duke i thënë ‘baci’ Kurtesh njërit prej zyrtarëve të KQZ-së.

Skena të tilla frikësimi ka pasur edhe dje gjatë gjithë ditës.

Kështu, Alim Rama, Sekretar i Përgjithshëm në këtë parti, ka bërë veprime të njëpasnjëshme antiligjore. Në shkelje flagrante të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ai ka ndërhyrë vazhdimisht në punën e grupeve të numërimit.

Nacionale ka raportuar se presioni i tij ishte që shpalleshin të vlefshme edhe ato fletëvotime që nuk janë shtypur të plota dhe nuk përmbajnë të gjitha subjektet politike garuese të certifikuara nga KQZ-ja.

Të njëjtat sjellje ligjshkelëse i ka bërë edhe Alban Krasniqi, burri i ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu. Sa kohë që votat ishin të partive kundërshtare, ai vuri si ‘rregull’ që fletëvotimet ku nuk figuronin partitë e certifikuara të mos numëroheshin si vota të vlefshme.

Është interesante se dy nga zyrtarët problematikë të Vetëvendosjes, sjellje të tilla kishin pasur edhe para katër vitesh.

Nga ajo pjesë e arkives së webfaqes së VV-së që ka mbetur e pafshirë, del se kjo parti përdorte të tjera standarde kur ia kërkonte interesi.

Më 2 shkurt 2021, Sami Kurteshi dhe Alim Rama e akuzonin KQZ-në për veprime të jashtëligjshme për mospublikim të listës së aplikuesve me të drejtë vote.

“KQZ, organi kushtetuese përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, ka bërë të paktën dy vepra penale; cenim i të drejtës për ushtrimin e mjetit juridik dhe parandalim i ushtrimit të drejtës për të votuar”, kishin thënë asokohe ‘gardianët’ e votës së lirë.

Kurteshi e Rama, gjatë kësaj konference, ishin të tilla që KQZ-në e akuzonin se ka dështuar të miratojë e publikojë fletëvotimet në kohë.

“Kjo është automatikisht pengesë shtesë për ushtrimin e të drejtës për të votuar nga jashtë vendit, dhe atë pengesë e qëllimtë. Mospublikimi i fletëvotimit në kohë është situatë e njëjtë sikurse me 14 shkurt qytetarët dhe banorët e Republikë së Kosovës të shkojnë në vendvotimet e tyre por aty mos të ketë fletëvotime”, kishte pohuar dyshja e VV-së.