Edhe festat e Bajramit nuk i ndalin procedurat “urgjente” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Korporata e gjeti veten në një krizë të papritur, saqë u detyrua të bëjë publike një kontratë me negocim pa publikim të njoftimit për kontratë në ditë pushimi, shkruan Demokracia.com.
Bëhet fjalë për furnizimin me Hidroksid Natriumi, një përbërës thelbësor për mirëmbajtjen e hidrocentraleve, që ndihmon në rregullimin e pH-së së ujit, parandalimin e korrozionit në pajisje dhe pastrimin e sistemit nga depozitat minerale. Me fjalë të tjera, pa këtë substancë, turbina nuk turbullon.

Sipas dokumenteve të publikuara sot në platformën E-prokurimi, KEK-u ka nënshkruar dje kontratë, duke anashkaluar procedurat standarde të konkurrencës e transparencës. Në arsyetimin e saj, korporata deklaron: “Për shkak të urgjencës dhe rezervave të pamjaftueshme për këtë vikend, Autoriteti Kontraktues do të vazhdojë menjëherë me nënshkrimin e kontratës”.

Pra, NaOH-ja na doli më urgjente se buka për Bajram. E në vend të pritjes për procedura të rregullta, KEK vendosi t’ia japë kontratën kompanisë “Grami” SH.P.K., në vlerë prej 138 mijë eurosh, për një periudhë tre mujore.

Ironia qëndron në faktin se një kontratë për një substancë kaq bazë dhe të parashikueshme në nevojë, po trajtohet si ndihmë e parë emergjente. Pra, KEK duket se e harroi planifikimin, injoroi rezervat dhe hoqi dorë edhe nga konkurrenca. /Demokracia.com/
