Kur nota të mira çojnë në Evropë: Komuna e Kamenicës ndan rreth 13 mijë euro për 19 nxënës elitarë në një “EuroTrip” edukativ

Komuna e Kamenicës ka vendosur që nxënësit e dalluar t’i shpërblejë me një udhëtim në Evropë, por jo pa bërë dallime. Përmes një komisioni të veçantë është përzgjedhur një grup i privilegjuar që do ta shijojë “EuroTrip-in” shkollor me para publike, shkruan Demokracia.com.

Komuna e Kamenicës ka vendosur të shpërblejë 19 nxënës të dalluar dhe 3 mësimdhënës me një udhëtim edukativo-kulturor në Evropë, të paguar nga buxheti komunal.

Aktiviteti, me emrin që të kujton më shumë një organizim agjencie turistike sesa një program arsimor “EuroTrip 2025” pritet të realizohet së shpejti, falë një varg vendimesh që, si për koincidencë, erdhën në kohën më të përshtatshme politike, disa muaj para zgjedhjeve lokale.

Sipas dokumenteve zyrtare që i ka parë Demokracia.com,  fillimisht është themeluar një komision vlerësues me përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit, Zhvillimit Ekonomik, Financave dhe Zyra e Kryetarit. Ky komision është ngarkuar me detyrën delikate të përzgjedhjes së nxënësve “të shkëlqyer”, bazuar në kritere si suksesi arsimor, sjellja shembullore dhe përfshirja në aktivitete jashtëshkollore.

Pas punës së kujdesshme të komisionit, është miratuar lista përfundimtare me 19 emra të përzgjedhur dhe tre mësimdhënës shoqërues. Për realizimin e udhëtimit, komuna ka ndarë rreth 13 mijë euro konkretisht, 10,560 euro në emër të mësimdhënësit Kudret Selmani dhe 2,200 euro për Agon Mahmutin. Mjetet do të përdoren për të mbuluar shpenzimet e udhëtimit për grupin e përzgjedhur të “euro-përfituesve” shkollorë.

E ndërkohë që 19 nxënës do ta shijojnë Evropën falas, meritojnë apo jo, këtë e di komisioni, dhjetëra të tjerë ndoshta do të mësojnë një mësim më të rëndësishëm që në Kosovë, vlerësimi nuk kalon vetëm nga notat dhe sjellja, por edhe nga lidhjet, koordinimet dhe ndonjëherë koha e duhur. /Demokracia.com/