Më së largu më 5 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte planifikuar që të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, e deri më 18 mars t’i certifikonte ato.
Por, edhe tani 33 ditë pas ditës së zgjedhjeve, KQZ nuk ka arritur as t’i shpall e as t’i certifikojë rezultatet.
Mediumi frontonline e ka parë planin e aktiviteteve të KQZ-së, i cili është miratuar në fillim të procesit zgjedhor dhe aty planifikohet edhe koha se kur do të përfundojë i gjithë ky proces.
Megjithkëtë, KQZ nuk ka arritur që t’i shpall rezultatet as më së largu 24 ditë pas ditës së zgjedhjeve (10 shkurt – 5 mars) dhe as nuk do të mund ta arrijë që certifikimin ta kryejë brenda 37 ditësh (10 shkurt – 18 mars).
Më 18 shkurt, nga KQZ kishin deklaruar se në disa nga proceset e kaluara zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, si ato të vitit 2014, 2017 dhe 2021, KQZ-së i janë nevojitur nga 18 ditë në secilin process për të shpallur rezultatet përfundimtare dhe nga 8 apo 9 ditë për t’i certifikuar ato.
Të pyetur më herët nëse KQZ është duke u vonuar, Zëdhënësi i këtij institucioni kishte deklaruar se ky institucion është duke zbatuar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe se këto përgjegjësi nuk mund të tejkalohen.
“Në krahasim me proceset zgjedhore të viteve të kaluara, përgjegjësitë e KQZ-së në zgjedhjet që janë mbajtur më 9 shkurt të këtij viti janë shumëfish më të mëdha. Një përgjegjësi e madhe që më herët nuk ka ekzistuar, ishte numërimi i votave të kandidatëve për deputetë në Qendra Komunale të Numërimit dhe që u bë me transparencë të plotë. Në të kaluarën ky numërim bëhej më shpejtë dhe atë brenda pak orëve, pasi në vendvotime së bashku me votat e subjekteve politike numëroheshin edhe votat e kadidatëve për deputetë. Gjithashtu, në Qendrat Komunale të Numërimit përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, është bërë edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime për të hequr të gjitha dilemat që janë krijuar në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, kishte thënë Elezi në fund të muajit shkurt.