KQZ: Gjatë ditës fillon numërimi i votave për kandidatët për deputetë edhe në komunat tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë  të ditur deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare,do të numërohen votat e kandidatëve për deputetë dhe të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime, numërimi i votave me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se procesi i numërimit të votave të kanidatëve për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike, ka filluar gjatë ditës së djeshme në Qendrat Komunale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.

“Në QKN-të e Obiliqit, Lipjanit dhe Parteshit, procesi i numërimit dhe evidentimit të këtyre rezultateve në platformë elektronike dhe formularët digjital, është zhvilluar pa ndonjë problem, por në QKN-në e Prishtinës janë paraqitur probleme të herëpashershme”.

Ndër tjera shtohet: “Aktualisht, procesi i numërimit është duke u zhvilluar në këto Qendra Komunale të Numërimit dhe gjatë ditës do të fillojë edhe në qendra të tjera, për të cilat do të njoftojmë”.

KQZ shton se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre.