Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka nisur finalizimin e përgatitjeve për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Megjithatë, ky institucion, i njohur për mandatin e tij të pavarur, po përballet me shqetësime për rrëshqitje nga neutraliteti institucional, raporton Demokracia.com.
Në procesin e përzgjedhjes për pozitën e Zyrtarit Administrativ në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Shtime, bazuar në konkursin e shpallur më 31 tetor 2024, KQZ ka emëruar Leunitë Ahmeti, si fituese të kësaj pozite.
Burime të Demokracia.com bëjnë të ditur se Ahmeti është një aktiviste e përkushtuar e LVV-së, e cila ka marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitete të partisë dhe kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu. Ajo gjithashtu ka marrë pjesë në takime me përfaqësues të strukturave lokale dhe qendrore të LVV-së.
Pozita e Zyrtarit Administrativ në KKZ përfshin trajtimin e dokumentacionit të ndjeshëm, përfshirë të dhënat e subjekteve politike që marrin pjesë në zgjedhje. Për këtë arsye, neutraliteti politik i personave të emëruar në këto pozita konsiderohet thelbësor për të garantuar një proces zgjedhor të drejtë dhe transparent.
Në njoftimin për rezultatin përfundimtar të KQZ-së, që e ka parë Demokracia.com, thuhet:
“Për përfundimin e procedurës së rekrutimit me kandidatë fitues për pozitën: Zyrtar Administrativ për KKZ në Shtime, me numër reference RN00015694 shërbyes me marrëdhënie kontraktuale, DBNJAD, bazuar në raportin e vlerësimit nga intervista me gojë për pozitën: Zyrtar Administrativ për KKZ në Shtime, të realizuar nga komisioni vlerësues i datës 23/11/2024, ju njofton që kandidatja Leunitë Ahmeti ka arritur 75.67 pikë në intervistë”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është themeluar në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Kosovës dhe funksionon si një organ i përhershëm i pavarur. Ai është përgjegjës për organizimin dhe implementimin e zgjedhjeve në Kosovë, duke siguruar që procesi zgjedhor të arrijë standardet ndërkombëtare përmes mbikëqyrjes dhe rregullimit të të gjitha aspekteve të zgjedhjeve.
Emërimi i një aktivisteje politike në një pozitë të ndjeshme si kjo ngrite shqetësime për ndikimet e mundshme në integritetin e procesit zgjedhor dhe pavarësinë e institucionit. /Demokracia.com/