Kosova të fillojë punën për Asociacionin” – çfarë thuhet në draft-dokumentin e BE-së që pritet të miratohet javën e ardhshme

LAJME
Kosova të fillojë punën për Asociacionin” – çfarë thuhet në draft-dokumentin e BE-së që pritet të miratohet javën e ardhshme
Demokracia
17:08 | 14 Dhjetor 2024

SHARE:

 

 

Një ditë para Samitit të Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor, konkretisht më 17 dhjetor Unioni prite të miratojë në takimin e ministrave të BE-së një draft me konkluzione, ku pritet t’i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që pa vonesa t’i zbatojnë marrëveshjet e dala nga dialogu.

Në draftin të cilën e ka siguruar, DW, potencohet se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të cilat burojnë nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, do të jetë kërkesa kryesore e BE-së për Kosovën dhe Serbinë.

“Këshilli e përsërit, se Marrëveshja për Rrugën Drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi për zbatimin e saj, të miratuara në shkurt dhe mars të vitit 2023, duhet të respektohen dhe zbatohen në tërësi sa më shpejtë që të jetë e mundur pa parakushte, sikurse të gjitha obligimet e tjera nga BE-ja”, thuhet në draft-dokument.

Kosovës në mënyrë të veçantë i kërkohet ta fillojë punën për “miratimin e draft-statutit evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Kjo përfshin themelimin e Asociacionit, duke nisur me përcjelljen e draft-statutit, të cilin palëve ua ka paraqitur ndërmjetësuesi i BE-së, përmes vendimit të Qeverisë së Kosovës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të reja”, thuhet në këtë draft dokument.

Në draft-dokumentin e BE-së theksohet, se rrugëtimi i Kosovës dhe Serbisë drejt integrimeve evropiane varet pikërisht nga këto detyrime.

Po ashtu në dokument përmendet edhe situata në Veriun e Kosovës, sidomos pas sulmit terrorist në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Zubin Potok.

“Këshilli mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës. Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për deeskalim, të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe provokative që mund të çojnë në tensione dhe dhunë, dhe të evitojnë retorikën përçarëse“, thuhet në draftin e dokumentit të BE-së, të cilën e ka siguruar DW.

Më 18 dhjetor, liderët e vendeve anëtare të BE-së dhe liderët e vendeve të rajonit do të takohen në samitin e rregullt vjetor.

Ky do të jetë samiti i parë i kryesuar nga Antonio Costa, presidenti i sapozgjedhur i Këshillit Evropian.

Pajtimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, fillimisht në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas për aneksin e zbatimi në Ohër më 18 mars 2023, ishte për një marrëveshje ku përmes 11 neneve Bashkimi Evropian e SHBA-të besonin se kanë gjetur zgjidhjen përpara.

Aty Kosova – pos tjerash – pranonte që t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet e arritura me herët, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe pajtimin për një status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Serbisë i kërkohej që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe përgjithësisht njëfarë njohje de-facto të shtetësisë.

Që nga ajo kohë deri më sot marrëveshja ka ngecur të zbatohet në terren.