Dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese “pa vonesa të mëtejshme” i është kërkuar Kosovës në konkluzionin e miratuar rreth procesit të zgjerimit nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme i Bashkimit Evropian, gjatë një takimi të ministrave të vendeve anëtare në Bruksel, mes thirrjes që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit “pa parakushte.”
“Këshilli përsërit se Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksi i Zbatimit, të miratuara përkatësisht në shkurt dhe mars të vitit 2023, duhet të respektohen dhe të zbatohen plotësisht sa më shpejt të jetë e mundur dhe pa parakushte, si të gjitha angazhimet e lidhura me BE-në, së bashku me angazhimet e tjera të mbetura të arritura në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe i mbështetur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së.” – thuhet në dokumentin e miratuar.
Në dritën e kësaj, Kosovës iu kërkua krijimi i Asociacionit, me hapin e parë dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese.
“Kjo përfshin krijimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, duke filluar me dorëzimin e draft-statutit të paraqitur palëve nga Lehtësuesi i BE-së, me vendim të Qeverisë së Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës pa vonesa të mëtejshme.” – thuhet më tej.
“De-përshkallëzim, përmbajtje nga veprime të njëanshme dhe provokuese,” iu kërkua palëve në konkluzionet e ministrave të bllokut mes tensioneve në veri të Kosovës. Kontribues i krizës në veri ishte sulmi i fundit në kanalin Ibër-Lepenc, të cilin Këshilli e dënoi, duke bërë thirrje që “autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë.”
“Këshilli dënon sulmin e fundit në kanalin Ibër-Lepenc në veri të Kosovës dhe solidarizohet me njerëzit e prekur. Këshilli pret që autorët të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Në këtë drejtim, Këshilli u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet përkatëse.” – thuhet aty.
Në dokument kritikohen gjithashtu veprimet e pakoordinuara të Kosovës, të cilat, siç theksohet aty, kanë ndikuar negativisht në qasjen në shërbimet thelbësore publike dhe sociale në rajon.
“Disa veprime të pakoordinuara nga Kosova, përfshirë ato të drejtuara kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia që operojnë në Kosovë, kanë ndikuar negativisht te serbët e Kosovës dhe komunitetet e tjera dhe qasjen e tyre në shërbime bazike publike dhe sociale.”
Thirrje për “një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës” u kërkua nga Kosova dhe Serbia.
“Këshilli pret që si Kosova ashtu edhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës, e cila garanton siguri, mbrojtje dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, në një mënyrë të koordinuar.” – thuhet në konkluzion.
Këshilli gjithashtu ritheksoi mbështetjen për praninë e përforcuar të KFOR-it, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, veçanërisht në lokacionet kritike si kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ura në Mitrovicë.
“Këshilli mbështet praninë e përforcuar të KFOR-it, veçanërisht në vijën kufitare/ndarëse midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe praninë e përhershme në urën e Mitrovicës.” – thuhet aty.
