Koci publikon letrën e nënës së Faton Hajrizit, ja cili ishte amaneti i tij

Avokati, Arianit Koci, i cili ishte i autorizuar si përfaqësues i familjes së Faton Hajrizit për tërheqjen e trupit të të ndjerit nga Serbia, sot ka publikuar letrën e nënës së Fatonit.

Përmes kësaj letre, ajo e ka falenderuar avokatin Koci, duke i thënë se këtë të mirë nuk do të ia harrojë asnjëhere.

”Ne si familja e Faton Hajrizit të jemi mirënjohës gjithë jetën për humanizmin që ke bërë për ne. Si familje, po mos të ishte humanizmi juaj, ne kurrë s’do ta kishim dalë që ta binim trupin e Fatonit për ta vorrosur aty ku ai e la amanet me dëshirën e vet, që ta varrosim në vendlindje, aty ku lindi.” shkruhej aty.

Tutje, avokati ka bërë të ditur se ka kaluar rreziqe të mëdha, por nuk ka mundur ta lejojë qe trupi i një kosovari të përfundonte në varrezat serbe.

Postimi i plotë:

Kur rreziku ia vlen – Historia e Faton Hajrizit dhe një amanet që nuk mund të lihej pas dore!

Në jetë vijnë momente kur nuk ke kohë të mendosh për veten. Kur nuk është çështje a ia vlen?, por si duhet bërë. Kur nuk ka vend për hezitim, sepse drejtësia dhe dinjiteti janë mbi gjithçka.



Rrugëtimi për ta sjellë trupin e Faton Hajrizit nga Beogradi në Kosovë nuk ishte thjesht një udhëtim – ishte një betejë me kohën, rrezikun dhe padrejtësinë.

Jeta ime ishte në rrezik, por një gjë e dija me siguri: nuk mund të lejoja që trupi i një shqiptari të Kosovës të përfundonte në një varrezë të përbashkët diku në Serbi!

Ishte e papranueshme.

Fatoni duhej të prehej në tokën e tij, aty ku i takonte – pranë familjes së tij. Dhe për këtë, isha i gatshëm të rrezikoja gjithçka.



Nëna e Fatonit më tha një fjali që nuk do ta harroj kurrë:

“Pasi e ke sjellë trupin e Fatonit, po më duket thuajse e ke sjellë të gjallë.”

Në ato fjalë, gjeta kuptimin e gjithçkaje. Çdo rrezik që kam kaluar, çdo pengesë që kam hasur, ia ka vlejtur për këtë moment.

Kur një nënë, që ka humbur djalin, gjen qetësi shpirtërore, atëherë e di që e kam bërë gjënë e duhur.

Në këtë botë, në momente kyçe, duhet të kombinohen forca, zhdervjelltësia, guximi, intelekti, drejtësia dhe zemra. Dhe për njerëzillëkun, për humanizmin, për të drejtën që një njeri të prehet aty ku e do familja e tij, dhe ku vet ai e ka lënë amanet – ia ka vlejtur çdo rrezik.



Nuk ka asgjë më të çmuar se një mirënjohje e sinqertë, e shprehur në një letër të shkruar me dorë, që reflekton shpirtin dhe zemrën e një nënë që e ka humbur djalin, e që prej moshës 15 vjeçare të tij, e ka takuar shumë rrallë, e me kufizime të mëdha.

Më poshtë, po ndaj këtë letër falënderimi nga Nëna e Faton Hajrizit – një dëshmi e mirënjohjes së vërtetë.



Letra falënderuese e nënës së Faton Hajrizit

Me respektin më të madh për ty, i nderuari avokat Arianit Koci.

Ne si familja e Faton Hajrizit të jemi mirënjohës gjithë jetën për humanizmin që ke bërë për ne.
Si familje, po mos të ishte humanizmi juaj, ne kurrë s’do ta kishim dalë që ta binim trupin e Fatonit për ta vorrosur aty ku ai e la amanet me dëshirën e vet, që ta varrosim në vendlindje, aty ku lindi.

Por mos të ishte zemërgjerësia jote, humanizmi juaj, ndoshta sot Fatoni do të ishte vorrosur në tokën e gjakatarit.

Ne si familje, po të shisnim çdo send që kishim, nuk do të mundnim me bërë asgjë, por për ne si familje do të ishte vdekje e dyfishtë.

Por sot, era e varrit aty ku lindi, është si ngushëllim për ne.

Ne si familje shkojmë tek varri çdo ditë e vizitojmë me respekt.

Për ne, prindërit e Fatonit, baba Mustafa dhe nëna Shehrija,
ti je hero i yni i gjallë, për dy motrat, për vëllezërit.

Me respekt,

Familja e Faton Hajrizit.