Kishin maltretuar të burgosurit në Burg të Prishtinës dhe Lipjanit, një muaj paraburgim ndaj tre ish-gardianëve të dyshuar për krime lufte

Sipas njoftimit, gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit B. T., M. I. dhe N. C, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

“Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.T. dhe M.I., në cilësinë e personave zyrtar-gardian të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i’u shkaktuar lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, tutje bëhet e ditur se e pandehura N.C., dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar-gardiane e Burgut të Prishtinës-Paralelja në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës-Paralelja në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të kësaj Paralele, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i ‘u shkaktuar lëndime trupore.

“Gjykata konstatoj se ekziston rreziku real dhe i arsyeshëm se nëse të pandehurit ndodhen në liri, mund të arratisen për të shmangur përgjegjësinë penale, të ndikojnë mbi dëshmitarët, përfshirë këtu edhe të dëmtuarit, mund të bashkëpunojnë me bashkëkryerësit e tjerë të përfshirë në këtë rast penal, si dhe mund të përpiqen të zhdukin ose të dëmtojnë provat materiale.

Gjykata vlerëson se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.