KEK injoron dy vendime të OSHP-së, rrezikon tërheqjen e licencës së shefit të prokurimit

LAJME
KEK injoron dy vendime të OSHP-së, rrezikon tërheqjen e licencës së shefit të prokurimit
Demokracia
22:06 | 26 Mars 2025

SHARE:

 

 

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk po i respekton rekomandimet e Panelit Shqyrtues të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me qëllim të favorizimit të një kompanie të lidhur me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.

Që nga 19 janari 2024, prokurimi i KEK-ut po orvatet të lidhë një kontratë për “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – Mazut (Fuel oil 1.0)”. Në tri iniciativa të ndryshme, si fituese është shpallur kompania “EX-Fis”. Të tirja janë konsideruar të kundërligjshme.

Në dy raste, Paneli i OSHP-së e ka urdhëruar KEK-un të kthejë tenderin në rivlerësim, pasi ka konstatuar shkelje ligjore gjatë vlerësimit. Megjithatë, tenderi u kthye në rivlerësim dhe për të dytën herë u shpall fituese e njëjta kompani, me vlerën 6,681,572.14 euro. E njëjta kompani u shpall fituese edhe për herë të tretë, por pati ankesë nga kompania “Patroni” me pretendime të njëjta si në dy herët e para.

Eksperti i OSHP-së, para një muaji, ka lëshuar një raport ku ka shkruar se çështja është gjykuar, por vendimet e Panelit nuk janë përfillur, duke e konstatuar këtë si shkelje të rëndë ligjore.

Paneli i OSHP-së ende nuk ka dhënë një vendim për rastin, por nëse vërtetohet se vendi i fundit nuk është zbatuar konform rekomandimeve të tij, atëherë mund të merren masa ndaj Zyrtarit Kryesor të Prokurimit, duke tërhequr certifikatës profesionale të prokurimit për zyrtarin përgjegjës të prokurimit.

Eksperti: Moszbatimi i vendimeve të OSHP-së, shkelje e rëndë

Në raportin e fundit për këtë rast, eksperti shqyrtues sqaron se pretendimet e OE ankues janë të njëjta me ato të trajtuara në vendimet PSH 2024/0513 dhe 2024/0970. Raporti thekson se KEK-u dhe komisioni i rivlerësimit nuk e kanë marrë për bazë vendimin e OSHP-së të datës 19.08.2024, i cili kishte konstatuar që OE i rekomanduar për kontratë është i papërgjegjshëm.

Eksperti citon Rregulloren 001/2022 për Prokurimin Publik, ku në Nenin 97, pika h, specifikohet se moszbatimi i vendimeve të OSHP-së konsiderohet shkelje e rëndë. Po ashtu, Neni 99 parasheh masa disiplinore që mund të përfshijnë edhe anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit brenda 15 ditëve nga vendimi i Bordit të KRPP-së.

Pra, eksperti, duke cituar Rregulloren 001/2022 për Prokurim Publik, ka shkruar se mosrespektimi i vendimeve të Panelit është shkelje e rëndë.

Neni 97 i rregullores, i titulluar “Shkeljet e rënda”, përmban disa pika, ndërsa pika hpërcakton se një shkelje e rëndë është “Mosrespektimi i vendimeve të OSHP-së dhe KRPP-së”.

Neni 99 i rregullores trajton “Masat disiplinore për shkeljet e rënda” dhe përcakton sa vijon:

99.1 Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, duke përfshirë edhe ato të specifikuara në paragrafin 97.1 të kësaj rregulloreje, Bordi i KRPP-së, bazuar në propozimin e komisionit, do të vendosë për anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve kalendarike nga data kur komisioni ka dhënë rekomandimin e tij.

99.2 Për shkelje të rënda të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe legjislacionit dytësor, duke përfshirë edhe ato të specifikuara në paragrafin 97.1 të kësaj rregulloreje, Bordi i KRPP-së do të nxjerrë vendim për anulimin e certifikatës së prokurimit dhe do të kërkojë nga autoriteti kontraktues marrjen e masave disiplinore ndaj personit në fjalë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Paneli i OSHP-së lidhur me këtë rast.

Kontrata emergjente dhe lidhjet politike të “EX-Fis” me Vetëvendosjen

Demokracia.com ka raportuar disa herë për këtë tender, duke theksuar se KEK-u ka lidhur kontrata me negocim dy herë nga viti i kaluar për furnizim emergjent me mazut, duke rekomanduar për kontratë të njëjtën kompani, “EX-Fis”.

Kompania “EX-Fis” ka lidhje të drejtpërdrejta me Lëvizjen Vetëvendosje. Të dhënat e shpenzimeve të LVV-së për periudhën 2020-2023 dhe 2024, të publikuara në faqen e KQZ-së, tregojnë se partia është furnizuar ekskluzivisht nga kjo kompani për derivatet e automjeteve të saj.

Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Paneli i OSHP-së lidhur me këtë rast. /Demokracia.com/