KDI: Emërimet e familjarëve të pushtetit në KOSTT, shembull flagrant i nepotizmit dhe konfliktit të interesit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shprehur shqetësim të thellë për zhvillimet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Përmes një reagimi dërguar mediave, ky institut thotë se vendimet e marra nga deputetët e shumicës parlamentare paraqesin shkelje të vlerave të qeverisjes së mirë, ndërkohë që thotë se përforcojnë elementet e korrupsionit dhe kapjes së institucioneve.

“Së pari, emërimi i gruas së Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe nipit të Zëvendëskryeministrit të Parë, si anëtarë të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), paraqet një shembull flagrant të nepotizmit dhe konfliktit të interesit. Ky vendim përveç se cenon integritetin e institucioneve publike, zhvlerëson edhe premtimet dhe angazhimet e partisë në pushtet për institucione të pavarura. Për më keq, kjo vendimmarrje është në funksion të përdorimit të institucioneve për interesa private dhe politike të individëve të lidhur me pushtetin”, tha KDI-ja, raporton Klankosova.tv.

Së dyti, KDI thotë se shqyrtimi dhe miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në të dy leximet brenda një periudhe të shkurtër kohore, është një tjetër goditje për proceset demokratike parlamentare.

“Ky projektligj, i proklamuar si ndër më të rëndësishmit në luftën kundër korrupsionit, nuk do të duhej të miratohej pa konsultime publike, pa debat parlamentar dhe pa përfshirjen e publikut. Ky nxitim në miratimin e tij, lë të kuptohet se projektligji po përdoret për qëllime elektorale, në vend që të shërbejë si mekanizëm kundër pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve publikë”, deklaroi KDI-ja në reagim.

Instituti Demokratik i Kosovës potencoi se këto zhvillime “janë tregues të një tendence shqetësuese për të dobësuar shtetin e së drejtës dhe për të favorizuar interesat e ngushta politike të partisë në pushtet”.

“Kuvendi i Kosovës, në vend që të jetë gardian i përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit, po keqpërdoret nga shumica parlamentare për motive elektorale, duke kompromentuar kështu integritetin institucional”, u tha në reagimin e KDI-së.