Kajtazi: Prokuroria e ftoi Kurtin për rezervat shtetërore – prokurorit ose s’i intereson politika ose i shërben Kryeministrit

Analisti Vehbi Kajtazi ka thënë se Prokuroria Speciale sot i ka bërë ftesë kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, për rastin e rezervave shtetërore.

Kajtazi tha se Kurti është ftuar në cilësinë e dëshmitarit, teksa për ftesën ai i tha dy versione.

“Tash, dita kur është ftuar nga prokurori Milot Krasniqi, mua m’i jep dy dimensione që i ka shkuar sot. Një, që Prokurori Milot Krasniqi thjesht e kryen punën e vet dhe nuk i intereson procesi zgjedhor, as kur aplikohet as asgjë. Janë afatet ligjore duhet me i përfunduar hetimet”.

“Ka gjasa që ky nuk e ka idenë dhe nuk lodhet për anën politike. Ose ky i shërben Albin Kurtit, ia çon sot ftesës për ta viktimizuar. Dy interpretime janë këtu”, tha Kajtazi në Rubikon në Klan Kosova.

Tutje, Kajtazi tha se me rastin e rezervave shtetërore janë shkelur katër ligje, dhe sipas tij, Kurti ka marrë vendim që blerjen e rezervave shtetërore ka marrë vendim që ta klasifikojë si sekret shtetëror në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, atë të Klasifikimi të Sekretit Shtetëror, Rezervave Shtetërore dhe Ligjin e Qeverisë.

“Pra, vet fakti që Kurti ka marrë vendim që ta klasifikojë si sekret shtetëror blerjen e rezervave shtetërore në kundërshtim me këto ligje, atëherë ky direkt ka informacion dhe besoj se Kurti është i implikuar në këtë rast sepse ka ndërmarrë veprime që është klasifikuar si sekret shtetëror në mënyrë të kundërligjshme, që janë thirrë në rregulloren 24 të vitit 2019 që lidhet direkt me blerje të armatimit dhe pajisjeve që lidhen me ushtrinë”, tha ai.