Jo Haxhiut, e po të tjerëve | Nga refuzimi në marrëveshje – A do ta gjejnë partitë kandidatin e kompromisit?

Përpjekjet për zgjidhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Kosovës kanë dështuar sërish, pasi kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur të marrë numrin e nevojshëm të votave për të udhëhequr me institucionin ligjvënës.

Në votimin e zhvilluar gjatë seancës së sotme, Haxhiu ka marrë vetëm 57 vota, shumë më pak se shumica e thjeshtë prej 61 votash të nevojshme për t’u zgjedhur.

Opozita ka refuzuar të mbështesë kandidaturën e saj, duke kërkuar që Vetëvendosje të propozojë një emër tjetër për këtë post.

Partitë opozitare kanë theksuar se nuk do të japin votën për një kandidat që, sipas tyre, nuk garanton bashkëpunim institucional dhe unitet në punën e Kuvendit.

Nga analistët politik, por edhe opozita po kërkohet të ndryshohet emri i kandidatit, derisa po konsiderohet si ‘’lojë’’ e gabuar politike e Kurtit vazhdimi i këtij kursi politik.

Për shkak të mungesës së konsensusit, procesi për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit do të vazhdojë në një seancë tjetër, e cila është caktuar të mbahet të premten, më 26 prill, duke filluar nga ora 10:00.