Paralajmërimi i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, se do të riangazhohet në dialogun Kosovë – Serbi ka nxitur reagime të shumta në Kosovës.
Përfaqësuesit e partive të ‘opozitës” kanë bërë me dije se kjo tregon se Kosova është në vëmendjen e presidentit amerikan. Ata kanë kërkuar që kjo deklaratë të merret seriozisht. Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka tentuar të vendos kushte për procesin e dialogut.
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë me dije se kjo deklaratë duhet të trajtohet me kujdes të madh.
“Deklarata e Presidentit Trump për riangazhim në çështjen e Kosovës duhet të merret shumë seriozisht dhe të trajtohet me kujdes. Do të kisha dëshiruar që Presidenti Trump të angazhohet për zbatimin e marrëveshjes Hoti-Vuçiq të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë si dhe për një marrëveshje përfundimtare të negociuar në mes dy shteteve me ndërmjetësim amerikan dhe evropian. Por nuk shoh situatë që favorizon procese dhe zgjidhje të ngadalshme dhe të listimeve të kushteveka thënë ai për Klan Kosova.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ai ka vlerësuar se kjo tregon se Kosova është në vëmendjen e presidentit Trump.
“Kjo deklaratë e presidentit Trump as nuk duhet të mbiinterpretohet dhe as nënvlerësohet, ndonëse është thënë duke krahasuar marrëdhëniet Kosovë-Serbi me rastet e tjera në botë. Tregon që jemi në vëmendje të Trumpit dhe është një shenjë paralajmëruese se mund të jemi herët apo vonë, temë në agjendën e politikës së jashtme amerikane”, është shprehur Hoxhaj.
Kurse, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se më këtë deklaratë tregohet rikthimi i vëmendjes së ShBA-së nga Kosova.
“Duke e krahasuar me rolin amerikan në konfliktet e luftërat e njohura tashmë në botë, paralelja për ndërhyrje dhe arritjen e paqes në Kosovë dhe rikthimi i tij për shkak të dëmtimit të procesit, është paralajmërim që Kosova duhet të jetë e gatshme dhe duhet të përgatitet jashtëzakonisht shumë, që të mos e zë në befasi sikur që u zu të shtunën”, është shprehur Hazari.
Deklaratën e presidentit Trump e ka komentuar edhe kryeministri ne detyrë, Albin Kurti.
Ai ka treguar kushtet e Kosovës për t`u rikthyer në procesin e dialogut të Brukselit.
“Ne kemi një marrëveshje bazike me Serbinë, e cila po shkelet nga Serbia dhe natyrisht që për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë, Milan Radojçiqin, kryekriminelin që na vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pastaj të pranojnë të nënshkruajnë marrëveshjen bazike me aneksin e zbatimit dhe njëkohësisht ta tërheqin letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Brnabiq pati thënë që nuk respekton integritetin territorial të Kosovës”, është shprehur Kurti, duke shtuar se trusnia duhet të bëhet mbi Serbinë.
“Unë besoj që normalizimi është i mundur, trysnia duhet të jetë mbi Beogradin, dhe gjithmonë e mirëpresim rolin e SHBA të cilët paraqesin aleatin tonë kryesor, partnerin e pazëvendësueshëm dhe mikun special në tri fusha kryesore: e para mbrojtja, e dyta është diplomacia dhe e treta është zhvillimi”, ka deklaruar Kurti.
