Historik i shkurtër i raporteve Shqipëri – Iran, viteve të fundit

Në vitin 2014, Shqipëria – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte pranuar rreth 3.000 anëtarë të grupit opozitar të mërguar të Organizatës së Muxhahedinëve të Popillit të Iranit i njohur si (MEK) dhe të njëjtit u vendosën në Manëz, në afërsi të Durrësit.

Në vitin 2022, ishte planifikuar në Shqipëri një Samit botëror për Iranin e lirë por paralajmërimi për kërcënime të mundshme kishte anuluar ngjarjen.

Në po atë vit, Shqipëria u bë cak i sulmeve masive kibernetike iraniane, të cilat kishin cak të paralizonin infrastrukturën digjitale të Shqipërisë, duke prekur në portalin më të rëndësishëm shtetëror e-Albania – me syninimin që të paralizonin infrastrukturën digjitale dhe të grabiteshin të dhënat e qytetarëve shqiptarë.

Sulmet kibernetike që Shipërisë i vinin nga Irani, ishin dënuar nga shumë shtete dhe faktin që Irani qëndronte prapa tyre, e kishte konfirmuar edhe vetë NATO.

Shqipëria kishte ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe në shtator të vitit 2022, iu kishte dhënë afat 24 orë diplomatëve Iranian që të largoheshin nga vendi – një pjesë e të cilëve, dogjën dokumentet e tyre para se të largoheshin nga Shqipëria.

Në vitin 2023, policia shqiptare kreu kontrolle me urdhër të SPAK-ut në kampin e Manzës, ku strehohen iranianët, me dyshimet për vepra penale ‘provokim lufte’ dhe krime kibernetike.

Dyshimet ishin se disidentët iranianë, kishin kryer sulme kibernetike ndaj Iranit dhe veprimi i tyre sipas qeverisë shqiptare, cenonte sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin konsideruar MEK-un organizatë terroriste prej vitit 1997 por e hoqi nga lista më 2012.