Në vitet e pasluftës, Kosova ka kaluar nëpër procese të shumta ndërtimi shtetëror, ndërkombëtarizimi dhe ballafaqimi me të kaluarën. Një nga situatat më të përfolura të këtij rrugëtimi, është themelimi i Gjykatës Speciale, një institucion që synonte kinse hetimin dhe gjykimin e krimeve të pretenduara që thuhet se janë kryer nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë dhe menjëherë pas luftës së viteve 1998–1999.
Kjo gjykatë u krijua pas një presioni të madh ndërkombëtar, veçanërisht nga raporti i Këshillit të Evropës i hartuar nga Dick Marty në vitin 2010, i cili ngriti akuza serioze për krime të rënda, përfshirë trafikim organesh dhe krime kundër njerëzimit, raport ky me të cilin me fillimin e procesit gjyqësor, nuk u përmend më si ‘’argument’’.
Me kërkesë të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe për të ruajtur legjitimitetin ndërkombëtar të Kosovës si shtet i sapoformuar, Kuvendi i Kosovës votoi më 2015 ndryshimet kushtetuese që mundësuan krijimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë të Holandës, por që funksionojnë në kuadër të sistemit ligjor të Kosovës.
Heshtja e institucioneve të Kosovës dhe e krerëve të saj aktualë përballë zhvillimeve në Gjykatën Speciale, veçanërisht pas asaj që po ndodhë atje me disa prej figurave më emblematike të luftës dhe pavarësisë së Kosovës, po ngjall shqetësim dhe debat të gjerë në vend.
Përkundër rëndësisë së këtij procesi dhe ndikimit që ai ka jo vetëm në perceptimin ndërkombëtar për Kosovën, institucionet aktuale shtetërore kanë mbajtur një qëndrim të rezervuar, shpeshherë të heshtur. Kjo heshtje është parë nga shumëkush si mungesë e një qëndrimi të qartë institucional, por edhe si një lëshim i përgjegjësisë morale dhe historike ndaj figurave që ishin në ballë të luftës për liri dhe pavarësi.
Në një kohë kur historia e Kosovës po vendoset nën lupën ndërkombëtare, mungesa e një reagimi të unifikuar nga udhëheqësit aktualë ngre pyetje të rëndësishme mbi lidhjen e shtetit me të kaluarën e vet dhe përkushtimin për ta mbrojtur atë në mënyrë të drejtë, dinjitoze dhe transparente.
Në nëntor të vitit 2020, u arrestuan ish-krerët e UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, të gjithë këta personalitete me role të rëndësishme gjatë luftës dhe në proceset shtetformuese të Kosovës. Ndër ta, Hashim Thaçi jo vetëm që ishte udhëheqës politik i UÇK-së, por edhe figurë kyçe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe më pas president i vendit.
Syla i OVL-UÇK: Heshtja e shtetit ndaj Hagës nuk është rastësi, është dorëzim përballë padrejtësisë
Përfaqësuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, për FrontOnline ka folur ndaj mungesës së reagimit institucional të Republikës së Kosovës përballë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Ai e ka cilësuar këtë heshtje jo vetëm të papranueshme, por të rrezikshme dhe të qëllimshme.
“Kjo heshtje nuk është as neutrale, as e rastësishme, është dorëzim përballë padrejtësisë,” ka deklaruar Syla.
Ai ka theksuar se liria për të cilën Kosova sot gëzon shtetësi është arritur me sakrifica dhe përpjekje të mëdha, dhe se heshtja e institucioneve aktuale në një moment kur ajo po vihet në pikëpyetje është një akt i papërgjegjshëm dhe moralisht i dënueshëm.
“Lirinë nuk na e solli askush me dhuratë, e sot kur ajo po sfidohet në themel, nuk guxon askush me hesht,” theksoi ai për FrontOnline.
Syla kritikoi edhe klasën politike në pushtet, të cilët sipas tij, po veprojnë sikur nuk kanë asnjë detyrim moral apo historik ndaj njerëzve që u sakrifikuan për çlirimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës.
“Ata që sot janë në pushtet po sillen sikur nuk kanë borxh ndaj njerëzve që ia sollën këtij vendi lirinë,” u shpreh ai.
Nasim Haradinaj kritikon ashpër qasjen e shtetit ndaj gjykimit në Hagë: Është injorim total
Ish-zëdhënësi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, për FrontOnline ka folur ndaj qëndrimit të institucioneve të Kosovës përballë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Haradinaj e ka cilësuar këtë heshtje si të zgjatur, të qëllimshme dhe fyese për vetë themelin mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës.
“Kjo heshtje nuk është sot, kjo heshtje është heshtje që pesë vite dhe është e qëllimshme. Është injorim total me atë se çka po ndodhë me Kosovën dhe çka e pret Kosovën,” ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka akuzuar klasën politike se po e përdor çështjen e ish-krerëve të UÇK-së vetëm në mënyrë selektive, kur iu konvenon si narrativë politike apo kur dëshirojnë të paraqesin dikë si viktimë për interesa të ngushta.
“Vetëm kur po ju duhet me i përdor si viktima, vetëm atëherë po i përdorin,” shtoi ai.
Haradinaj ngriti shqetësimin e thellë për pasojat që do të ketë një dënim i mundshëm i udhëheqësve të UÇK-së.
“Nëse dënohet baza, themeli i këtij shteti, unë nuk e di se si do të ndihen ata që do të jenë në këtë pushtet, kushdo qoftë,” tha ai për FrontOnline.
Ai kritikoi gjithashtu ashpër mënyrën se si shteti po i trajton të akuzuarit në Hagë dhe çështjen e garancive për lirimin e tyre nga paraburgimi.
“Për mua është humor i zi të thuhet që drejtori i policisë ka dhënë garanci që ata të lirohen, por garancion duhet jep presidentja, kryeministri e ministri i Punëve të Brendshme,” theksoi ai.
Haradinaj shprehu zhgënjimin e tij për mungesën e ndjeshmërisë dhe empatisë nga institucionet më të larta të shtetit të Kosovës.
“Të paktën as empati spo tregojnë, me përjashtim të ndonjë individi,” përfundoi ai.
Avokati Smakiqi: Heshtja e shtetit po e legjitimon një proces gjyqësor të dështuar dhe arbitrar në Hagë
Avokati Xhevdet Smakiqi për FrontOnline ka folur lidhur me qëndrimin e institucioneve të Kosovës ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, heshtja e Qeverisë dhe e Kuvendit jo vetëm që është e pajustifikueshme, por edhe e dëmshme, pasi po kontribuon në thellimin e një procesi që, sipas tij, është i zhveshur nga standardet minimale të një gjykimi të drejtë.
“Fillimisht duhet thënë me keqardhje që procedura e udhëhequr nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, në vështrimin e një juristi europian me njohuri mesatare, është përfshirë në shkelje flagrante të të drejtave themelore të një të akuzuari,” deklaron Smakiqi.
Ai thekson se trupi gjykues dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë vepruar me arbitraritet të plotë, duke mbajtur të akuzuarit në paraburgim për gati pesë vite, në kundërshtim me nenin 129 paragrafi 2 të Kushtetutës së Kosovës, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe me dispozita të tjera të ligjit vendor.
“Askund në sistemet demokratike nuk aplikohet masa e paraburgimit në mënyrë kaq arbitrare e pa arsyetim, e në veçanti kur përfundojnë deklarimet e dëshmitarëve të Prokurorisë,” shton ai, duke përmendur se në raste të tilla, ligji kërkon që paraburgimi të zëvendësohet me masa më të buta si arresti shtëpiak.
Smakiqi akuzon institucionet e Kosovës për mungesë të vullnetit për të krijuar një mekanizëm monitorues të procesit në Hagë, si dhe për përgjysmimin e mbështetjes financiare ndaj mbrojtjes, përmes ndryshimeve në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/22 nga Ministria e Drejtësisë në Qeverinë Kurti.
“Përveç heshtjes, Qeveria e Kosovës në këto pesë vjet ka krijuar dhe nxitur në publik klimë kundër eksponentëve të UÇK-së, duke vepruar në koordinim me Listën Serbe për t’i përjashtuar veteranët nga paga minimale. Heshtja e Qeverise dhe Kuvendit te Kosoves ka te beje konkrekitishte me mos themelimin e nje mekanizmi monitorues per mbikqyren e procedures penale ndaj krereve te UÇK-se, ne njeren ane por edhe me pergjysmimin e mbeshtetjes financiare duke ndryshuar Udhezimin Adminstrativ Nr.08/22 nga Ministirja e Drejtesise ne Qeverine Kurti.” deklaron Smakiqi, për FrontOnline.
Sipas tij, mungesa e kredibilitetit të Dhomave të Specializuara në sytë e publikut është tanimë e plotë, ndërsa as mekanizmat ligjorë për përjashtimin e trupit gjykues – në rast të konfliktit të interesit nuk janë funksionalë.
“Mbrojtja e krerëve të UÇK-së ka dorëzuar parashtrime për njëanshmërinë e trupit gjykues, por këto janë shqyrtuar nga i njëjti trup, gjë që përbën konflikt interesi të pastër,” thotë ai.
Milaim Zeka për procesin në Hagë: Po heshtin edhe shokët më të ngushtë, e lëre më shteti
Gazetari dhe analist, Milaim Zeka, për FrontOnline ka reaguar me tone të ashpra ndaj heshtjes së institucioneve të Kosovës dhe klasës politike përballë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Zeka e ka cilësuar këtë heshtje si të pafalshme dhe tronditëse, duke thënë se nuk janë vetëm institucionet që po qëndrojnë në heshtje, por edhe njerëzit më të afërt të ish-udhëheqësve të luftës.
“Për besë, kjo nuk do koment. Lëre shtetin, por po heshtin shokët më të ngushtë të këtyre njerëzve. Është tmerr, është No comment për mua,” ka deklaruar Zeka për FrontOnline.
