Hashim Thaçi dje në Kosovë, avokatët thonë se forcat e shtuara policore ishin të panevojshme: Ai s’mendonte arratisje, vizita duhej lejuar që moti

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka vizituar dje babain e tij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ai është duke u mjekuar prej kohësh.

Thaçi u kthye dje në Kosovë pas disa viteve, e gjithë kjo pasi mori leje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Një kërkesë të tillë Thaçi e kishte bërë prej kohësh, megjithatë të gjitha kërkesat e tij të mëparshme u refuzuan nga kjo gjykatë.

Me rastin e vizitës së tij në Kosovë qytetarë të shumtë në numër ishin mbledhur që të shohin nga afër ish presidentin e Kosovës, por ata arrinin që ta përshëndesin veç nga larg- pasi zyrtarët policorë të huaj që po e përcillnin sigurinë e tij nuk lanë askënd të afrohej, madje as vëllezërit e ish-presidentit.

Rreth vizitës së Thaçit në Kosovë dhe dispozitave ligjore të kësaj lajmi.net ka kontaktuar me avokatin, Ardian Bajraktari i cili tha se kjo vizitë do duhej të kishte ndodhur edhe më parë për shkak se është e drejtë që garantohet për të gjithë të pandehurit në rast se ka familjarë në gjendje të rënduar shëndetësore.

“Çështja e vizitës së presidentit Thaçi natyrisht se ishte për shkaqe humanitare dhe si e tillë është e përcaktuar edhe me dispozitat e rregullores së procedurës dhe provave, është rregulla 86 që i mundëson një gjë të tillë, prandaj vlerësoj që pas disa refuzimeve radhazi, më në fund Gjykata Speciale e kuptoj që refuzimet ishin të pabazuara andaj e mundësoi një gjë të tillë. Gjendja e rënduar shëndetësore e prindit natyrisht se hyn në domenin e shkaqeve për të cilat mund të lejohet, për më tepër është në pajtim me vet standartet që i ka vënë Gjykata Speciale me rastin e aprovimit të vizitave të tilla kohë më parë. Ndërsa sa i përket prezencave të forcave të rendit ishin jo proporcionale të panevojshme, për faktin se edhe në të kaluarën kur ka pasur vizita të tilla nuk ka pasur në asnjë variant cënim të rregullave, përkundrazi të gjithë atë përfshirë edhe ish presidentin Thaçi në përpikëri i kanë zbatuar të gjitha rregullat, të gjitha aspektet procedurale andaj vlerësoj që ishin të panevojshme, megjithatë është brenda procedurave të protokulare”, tha fillimisht ai.

Bajraktari tha se nuk ka parë ndonjë shkelje përgjatë kësaj vizite në të cilën Gjykata Speciale mund të ngre dispozita ligjore.

“Jo, mjekun e ka takuar për babain e tij. Në bindjen time vizita është realizuar në pajtim të plotë me kriteret e vendosura me rastin e aprovimit të një vizite të tillë”, përfundoi Bajraktari për lajmi.net.

Avokati, Skender Musa tha se vizita e Thaçit në Kosovë ishte e vonuar pasi Gjykata Speciale do duhej të aprovonte kërkesat e mëparshme të tij për vizitën e babait të sëmurë.

“Dispozitat ligjore parashohin vizita të tilla. Gjykata është e detyruar të aprovoj kërkesa të tilla për vizitë të anëtarin e familjes së ngushtë në momentet kur gjendja shëndetësore e tij lë për të kuptuar se është në rrezik jeta e tij. Natyrisht mendoj se ka qenë e vonuar leja që i është dhënë Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë. Nuk e di pse provat e kërkesës për vizitë në Kosovë nuk ishin të mjaftueshme për gjykatën, kurse tani po pasi e njëjta procedurë është edhe për këtë herë që e lejuan”, tha fillimisht ai.

Musa tha se masat e sigurisë ishin më të rrepta se sa duhej duke pasur parasysh se Thaçi asnjëherë nuk ka treguar premisa për arratisje apo mosbashkëpunim.

“Sa i përket masave të sigurisë, gjykata duhet të marr masa të rrepta të sigurisë për të siguruar edhe të akuzuarin. Masat kanë qenë më të ashpra duke pasur parasysh se nuk ka pasur arsye për të menduar arratisjen e tij”, shtoi ai.

Tutje, Musa shtoi se vizita e Thaçit ishte në pajtim të plotë me procedurat protokolare për vizitë të tillë duke potencuar se nuk ka pasur asnjë shkelje

“Asnjë shkelje nuk ka qenë, është e ligjshme përshëndetja që e ka bërë me personel, gjithashtu edhe te përshëndetja e mjekut, mjeku ishte ai që e ka përqafuar atë. Padyshim që ai është një nga liderët më të respektuar dhe më me ndikim në Republikën e Kosovës, nuk ka pasur asnjë shkelje procedurale nga ana e Hashim Thaçit”, përfundoi Musa.

Në anën tjetër, Gent Gjini thotë se trajtimi i ish presidentit Thaçi gjatë vizitës në Kosovë nuk ishte i dinjitetshëm.

“Konsideroj që kjo ardhje ngërthen shumë gjëra, është problematik që duhet t’i drejtohemi institucioneve tona, duke ditur se kjo gjykatë është produkt i parlamentit të Kosovës të cilët e kanë votuar. I pandehuri do duhej të trajtohej në mënyrë të dinjitetshme gjatë vizitave për të sëmurin në pajtim me Konventën Evropiane për të Drejtën Humane.Konsideroj që prezenca e numrit të madh të njësitit special nga Gjykata Speciale është e papranueshme dhe është shqetësuese kur kjo vjen nga autoritetet evropiane. Fakti që veshja e tyre ishte në atë mënyrë, pa pasur uniformë pa pasur shenjë dhe të veshur me maska tregon se ai nuk u trajtua në mënyrë të dinjitetshme. Poashtu është shqetësuese që atij nuk iu lejua takimi me gruan dhe djalin e tij këtu duhet të reagojnë institucionet tona. Duhet të plotësohen amadamentet që të drejtat e të pandehurit të trajtohen në mënyrë më humane dhe jo si rasti i ish presidentit Hashim Thaçi. Ky është një rast i paprecedent dhe fajin ua lë autoriteteve kosovare se si sot po sillet Gjykata Speciale me të pandehurit”, tha Gent Gjini për lajmi.net

Kujtojmë se ish presidenti Thaçi po përballet me Gjykatën Speciale tash e më shumë se katër vite prej kohës kur ai kishte lënë postin e presidentit për t’u përballur me akuzat e ngitura ndaj tij.

Në vizitën e djeshme që pati në Kosovë Thaçi u mundua që t’i respektoj të gjithë qytetarët duke i përshëndetur- gjë që bie në sy në çdo moment edhe kur ishte brenda QKUK-së edhe jashtë.

Por e “vrazhdë” ishte pamja se do t’i duhet të kthehet sërish në veturat e aeroplanin që bënin kthimin e tij në Hagë. Në kuadër të Speciales po vazhdon gjykimi edhe ndaj ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.

Ky proces po vazhdon të kritikohet, por pavarësisht kësaj ende asnjë iniciativë nuk është marrë nga institucionet përkatëse që të mund të ndalet si proces.