Haradinaj: Babai i Thaçit, viktima e fundit e presionit psikologjik nga Gjykata Speciale

Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, e ka quajtur të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale për të mos lejuar Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e babait të tij dhe ka akuzuar gjykatën për qasje selektive dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

“Për mua ka qenë e pritshme, janë shumë lot tjerë që janë derdhur, babai i Thaçit sot është viktima e fundit e kësaj gjykate, e them me gjithë gojën se është viktimë e presionit psikologjik, por nuk e di a do të jetë rasti i fundit se njerëzve t’u hapë sytë dhe ta shikojnë drejtë këtë gjykatë ku ka qëllimin dhe ku do të shkojë”, ka deklaruar Haradinaj në Debat Plus.

Ai ka theksuar se ky vendim tregon fytyrën e vërtetë të Gjykatës Speciale dhe se shtetet që e financojnë duhet të reflektojnë mbi veprimet e saj.

Haradinaj ka kritikuar ashpër qasjen e Gjykatës Speciale ndaj të akuzuarve dhe ka paralajmëruar se ky nuk do të jetë rasti i fundit që do të hapë sytë e opinionit për të parë drejtësinë selektive që, sipas tij, po ushtrohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Kjo gjykatë thirret në drejtësi me padrejtësi, kjo gjykatë është selektive, kjo gjykatë shkelë të gjitha normat legjitime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Pra, shkelë të drejtën e familjarit të ngushtë, që janë prindërit, fëmijët grua e vëllezërit e motrat. Kjo gjykatë sikur për inat e sfidon Kosovën, duke i thënë e para tradhtova me ngritjen e aktakuzës, ta ndërrova kushtetutën dhe treta tani unë të sfidojë dhe të tregojë se unë bëj çfarë të dua. Këtë gjykatë duhet ta shohin sot ndryshe, vetë drejtësia dhe shtete financuese të saj. Kjo gjykatë tash ka filluar ta demolojë vetveten ka filluar ta heqë maskën dhe ta dalë para shteteve që e financojnë, ajo sot po i turpëron edhe ato shtete që e financojnë”, ka deklaruar ai.