Haradinaj: Aleancën me ShBA-në duhet ta ruajmë si sytë e ballit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ruajnë si sytë e ballit.

Haradinaj në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, tha se nuk do të amnistohen ata që dobësojnë aleancën me ShBA-në dhe NATO-n, derisa tha se të njëjtit që e bëjnë një  gjë të tillë “nuk janë tanët”, raporton KP.

Sipas tij, kush vetëlavdërohet dhe harron ndihmën e ShBA-së “nuk është me këtë popull dhe këtë vend”.

Haradinaj i cili ka qenë komandat i zonës operative të Dukagjinit tregoi detaje të luftimeve të 27 viteve më parë në Gllogjan.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Prekazi dhe Gllogjani kanë nisur historinë për lirinë e Kosovës.

Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.