Hamza i përgjigjet Abdixhikut: Askush s’po i thotë hajde shkriju në PDK

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka komentuar skenarët e mundshëm për formimin e qeverisë së re, duke theksuar se edhe në të kaluarën ka pasur raste kur partitë me më pak deputetë kanë marrë postin e kryeministrit, por qeverisja nuk ka qenë efikase.

“Zoti Abdixhiku u deklarua se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka asnjë interes për të hyrë në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, por nuk e ka mbyllur mundësinë e bisedave me partitë e tjera opozitare. Ne kemi qenë të qartë dhe konsistentë për këtë çështje”, tha Hamza në Tv Dukagjini.

Ai shtoi se edhe në të kaluarën qeveritë ku kryeministri vinte nga një parti me më pak deputetë nuk kanë qenë funksionale dhe se këto situata duhet të qartësohen përmes bisedimeve të hapura mes partive politike.

“Nuk është se një qeverisje e tillë ka qenë shumë e shëndetshme apo funksionale. Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë. Mund të ketë edhe parti me një numër më të vogël deputetësh që kërkon kryeministrin, por PDK-ja i ka qëndrimet e veta të qarta dhe është e hapur për bisedime,” shtoi Hamza.

Sipas tij, javët e ardhshme priten zhvillime konkrete në këtë drejtim, pasi tani ka ardhur koha për konstituimin e institucioneve të reja dhe afatet kushtetuese po rrjedhin.

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke komentuar tutje deklaratën e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se “opozita nuk është e bashkuar dhe nuk është një subjekt politik”.

Hamza e kundërshtoi këtë qasje, duke thënë se bashkëpunimi mes partive opozitare nuk do të thotë asimilim apo shkrirje e një force politike në tjetrën.

“Askush s’po i thotë, as s’po i kërkon, as s’mundet e as nuk ka të drejtë nesër prej neve të PDK-së me ul në një tavolinë me një subjekt politik, edhe më i thanë hajde shkriju në PDK. Ti s’po e thirr për ata. Hajde bëhemi partner në qeverisje. Haje ulemi në tavolinë”, ka thënë Hamza.