Gjykata shfajëson futbollistin Dani Alves, anulohet dënimi për sulm seksual

Në vendimin e shpallur këtë të premte, gjykata ka rrëzuar dënimin duke theksuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të “tejkaluar standardet e kërkuara nga prezumimi i pafajësisë”. Kjo ka sjellë shfajësimin e futbollistit, por vendimi mund të apelohet, transmeton Klankosova.tv.

Dani Alves, ish-ylli i futbollit brazilian dhe Barcelona, ishte shpallur fajtor në shkurt 2024 për përdhunimin e një gruaje në një klub nate në Barcelonë në dhjetor 2022. Pas këtij vendimi, ai u dënua me katër vjet e gjysmë burg, por më pas u lirua në mars 2024, ndërkohë që priste shqyrtimin e ankesës nga një gjykatë më e lartë.

Gjykata e Barcelonës e kishte dënuar atë me katër vjet e gjysmë burg, pesë vjet mbikëqyrje pas lirimit, dhe nëntë vjet ndalim afrimi ndaj viktimës. Po ashtu, Alves ishte detyruar të paguante një dëmshpërblim prej 150,000 eurosh për viktimën.

Në vendimin e saj, dhoma e apelit e Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Katalonjës, e përbërë nga tre gra dhe një burrë, vlerësoi se dëshmia e viktimës nuk ishte “e mjaftueshme për të mbajtur në fuqi dënimin e të akuzuarit” dhe se në këtë rast mbizotëron e drejta për prezumimin e pafajësisë, siç raporton “Cadena SER”.