Gjendet një “bombë kasetore antitank” e pashpërthyer në Krushë të Vogël, vlerësohet si mjet shumë i rrezikshëm

Policia në Prizren është informuar sot rreth orës 14:30 se në oborrin e një kompanie në Krushë të Vogël, gjatë punimeve me ekskavator, është gjetur një mjet eksploziv i pashpërthyer.

Pasi ka dalë në vend të ngjarjes, policia ka vërejtur se bëhet fjalë për një “bombë kasetë”.

Kështu ka bërë të ditur për Paparacin Shaqir Bytyqi, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit.

“Njësiti i deminimit ka dalë në vendngjarje dhe ka udhëzuar që të mbyllen të gjitha rrugët që çojnë në atë drejtim ngase mjeti eksploziv është vlerësuar si mjet shumë i rrezikshëm “bombë kasetore antitank””, ka thënë Bytyqi,

Pasi që është siguruar rrethina, Bytyqi ka bërë të ditur se mjeti eksploziv është plasur në vendngjarje pa ndonjë incident.