Gëzim Sveçla kthehet në Kuvend pas ndalimit nga Policia

Gëzim Sveçla, shefi i asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, është paraqitur sot në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, pas ndalimit prej 48 orësh nga Policia e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kuvendi i Komunës së Prishtinës po mban një mbledhje, dhe në të është parë edhe Sveçla, i cili ishte liruar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj tij.

Sipas Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë ishte e pabazuar, duke vendosur që Sveçla të mbrohet në liri.

Sveçla u ndalua pas incidentit të së hënës, kur ai kishte shkulur mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit pas seancës ku u miratua buxheti për kryeqytetin.

“Gjykata, pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës. Meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri,” thuhet në komunikatë.

Gjykata gjithashtu theksoi se masat e parapara në nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) synojnë sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës, dhe nuk paraqesin ndëshkim për personin e dyshuar.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Demorkacia.com/