Gazetari amerikan Austin Tice është “gjallë”, sipas OJQ-së

Gazetari ka punuar për Agence France-Presse, McClatchy News, Washington Post, CBS dhe media të tjera kur u zhduk në vitin 2012 pranë Damaskut.

Organizata joqeveritare “Hostage Aid Worldwide” tha të martën në Damask se beson që gazetari amerikan Austin Tice, i cili është zhdukur në Siri që nga viti 2012, është gjallë, pa dhënë informacion konkret mbi vendndodhjen e tij.

Gazetari ka punuar për Agence France-Presse, McClatchy News, Washington Post, CBS dhe media të tjera kur u zhduk në vitin 2012 pranë Damaskut, ndërsa Siria ishte skenë e një lufte prej më shumë se një viti.

“Ne kemi të dhëna që Austin ishte gjallë deri në janar 2024, dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara tha në gusht se ai ishte gjallë dhe ne jemi të sigurt që ai është gjallë sot”, tha Nizar Zakka, president i OJQ-së që punon me familjarët e civilëve të rrëmbyer për t’i liruar ata.

“Ne përpiqemi të jemi sa më transparentë dhe të ndajmë sa më shumë informacion të jetë e mundur”, shtoi ai.

Libano-amerikani Nizar Zakka tregoi, me foto, të gjitha vendet ku OJQ-ja e tij beson se Tice u burgos midis nëntorit 2017 dhe shkurtit 2024 nga regjimi i Bashar al-Assad, i rrëzuar dy javë më parë nga një koalicion rebelësh.

Hostage Aid Worldwide thotë se po kërkon Austin Tice, 43 vjeç, në koordinim me familjen e tij dhe autoritetet amerikane.

Autoritetet siriane nuk kanë thënë kurrë se e kishin arrestuar gazetarin.

Nëna e Austin Tice, Debra, tha në fillim të këtij muaji se kishte informacione që tregonin se djali i saj ishte gjallë, ndërsa qeveria e re siriane tha se ishte në kërkim të tij.