Gjykata Speciale nuk e trajtoi me urgjencë kërkesën për lejimin e Hashim Thaçit në varrimin e babait të tij dhe nuk e bëri publik vendimin, duke shtuar pasigurinë dhe mosbesimin ndaj saj.
Kështu ka deklaruar në Debat Plus, Kreshnik Gashi nga BIRN-i, duke kritikuar Specialen për mungesë transparence dhe trajtim burokratik.
Sipas tij, vonesa dhe mungesa e një shpjegimi publik për vendimin e tyre kanë dëmtuar edhe më shumë kredibilitetin e kësaj gjykate.
“Haga ka dështu me e pa ndikim e këtij vendimi në raport me aktualitetin në Kosovë. Pra, Haga është dashur ta tretojë me urgjencë maksimale kërkesën dhe me urgjencë maksimale ta bëj publikimin e vendimit. Me na tregu pse po e lejon dhe pse s’po e lejon, cilat janë rrethanat, arsyet dhe shkaqet që e obligojnë një gjykatë. Për shkak se kjo tash është përkthyer në një anë tjetër, në një narrativ mosbesuese ndaj gjykatës, në një mohim të drejtësisë”, ka deklaruar Gashi në Debat Plus.
Ai ka shtuar se ky rast ka krijuar një narrativë mosbesimi ndaj drejtësisë, duke theksuar se ata as nuk kanë mohuar apo pohuar nëse kanë një kërkesë për Thaçin.
“Mendoj se gjykata ka bërë gabime shumë të mëdha në hapa që ia kanë dëmtuar kredibilitetin për shkak të burokracisë së tepruar. Tash ne duhet me prit me e pa vendimin, me pa se çfarë kanë marrë ata për prova, pastaj ta shohim nëse mbërrijmë më konstatu shkelje të të drejtave të njeriut, ndoshta kanë diçka ata brenda, nuk mundem as ta pohoj apo mohoj. Por, procedularisht ata as nuk kanë mohuar apo pohuar nëse kanë një kërkesë, ende nuk i kanë treguar publikut të Kosovës a ka një kërkesë dhe a ka një refuzim të kërkesës dhe mendoj se në këtë rast publiku është dashur ta dijë në mënyrë urgjente”, ka deklaruar Gashi.