Florjan Binaj, përmes një postimi në Instastory ka shpërthyer ndaj produksionit të “Big Brother VIP Albania”, pas aktit të dhunës, ku Jozi goditi Gjestin pak para se të linte shtëpinë e “BBVA 4”.
Aktori i humorit e etiketoi reality show-n si “Pig Brother Gjys’ VIP”, duke e paralelizuar me derrat dhe duke nënkuptuar se banorët janë gjysmë VIP-a.
“Pasi pashë sot atë që paska ndodhur mbrëmë te “Pig Brother Gjys VIP”, dua të shpreh dhe unë diçka që kam muaj që e shpreh në videot e mia në kanalin tim në YouTube: Produksioni, sado që na qenkërka distancuar nga ajo që ndodhi, ka muaj që mezi pret që diçka e tillë të ndodhë për t’i rritur shikueshmërinë një formati të degjeneruar për kohësh!”, referuar deklaratës se “BBVA 4” nuk përfaqësohet nga veprimi i Jozit.
Më tej, shkroi se “zarfi i zi u kthye nga ndëshkim, në bonus” dhe shtoi se:
“Lartimi dhe lavdia e paaftësisë, injorancës, dhunës, duke i shitur si vlera të formatit. Kur nuk je i zoti të prodhosh vlera, ose do konsumosh vlerat e të tjerëve, ose do prodhosh anti-vlera”.
Ai bëri edhe një “rezyme” të dekadës së fundit në Top Channel, duke thënë:
“Brenda një 10-vjeçari u pa se si një televizion kombëtar, nga fole që thith talente dhe i shërben publikut ajkën e cilësisë, u kthye në një fole për të paaftët që t’i sheshin publikut anti-vlerat dhe boshllëkun për cilësi”.
Flori në video të ndryshme në kanalin e tij në YouTube ka folur shpesh për gjendjen e televizionit në vend, duke theksuar degradimin që po serviret për publikun.