“ Edhe sot jam i pitë”, incizimet nga përleshja në shkollë zbulojnë drejtorin e dehur (VIDEO)

Për mungesën në një mbledhje në shkollën ku punon, Arton Behramit, paga i doli me më pak para. Ky moment shënon edhe pikënisjen e gjithë acarimit që ndodhi mes palëve të përfshira në këtë kronikë.

Mësimdhënësi i gjuhës angleze në shkollën fillore “Enver Maloku” në Podujevë, kishte kërkuar aso kohe vendim të shkruar zyrtar për ndaljen e mjeteve nga drejtori i shkollës, Agim Hamza.

KIKS Kosova ka siguruar edhe audio-incizimin e plotë ku kërkohen këto dokumente dhe sqarimet për veprimin.

Biseda duket se shkon duke u acaruar mes mësimdhënësit dhe udhëheqësit të shkollës fillore “Enver Maloku”.

Në konflikt e sipër, drejtori pranon diçka krejtësisht të çuditshme. Hamza i pohon akuzat e mësimdhënësit kundrejt tij se në punë vije çdo herë i dehur.

Ky konflikt mes drejtorit e mësimdhënësit kulmoi me thirrjen e Policisë së Kosovës. Sipas asaj që mësimdhënësi, Arton Behrami i ka thënë emisionit, zyrtarët policorë u lajmëruan nga vetë drejtori.

Behrami u shoqërua për në stacionin e Policisë mirëpo duke mos dashtë të deklarohet para kamerës për këtë, mësimdhënësi i ka thënë emisionit se, vetëm është marrë në pyetje për rastin.

Kiks Kosova shkoi edhe vet në stacionin e Policisë në Podujevë për tu interesuar lidhur me këtë çështje, po brenda këtij institucioni thanë se nuk ka rast të hapur për mësimdhënësin Arton Behrami.