Erden Atiq, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit 2023, po përballet me dyshime për menaxhimin e një tenderi për furnizim me pajisje teknologjike, shkruan Demokracia.com.
Kjo komunë me shumicë serbe ka planifikuar të blejë 25 kompjuterë të tipit “All-in-One” në fund të vitit 2024. Megjithatë, një ekspertizë e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka zbuluar parregullsi të mundshme në procesin e përzgjedhjes së operatorit ekonomik fitues.
Tenderi me titullin “Furnizim për Kompjuter Brand Name All-in-One” është hapur më 31 tetor 2024 . Pas vlerësimit, komuna ka rekomanduar si fitues kompaninë “Aritech”, një operator që ka fituar disa kontrata nën qeverisjen aktuale në nivel qendror. Vlera e kontratës për këtë tender është mbi 15 mijë euro.
Pajisjet e planifikuara janë kompjuterë të tipit “All-in-One”, ku monitori dhe pjesa qendrore janë të integruara në një trup të vetëm, duke kursyer hapësirë. Megjithatë, procesi ka hasur në kundërshtime nga operatorë të tjerë ekonomikë, duke përfshirë kompaninë “CLASTERTECH SH.P.K.” nga Prishtina.
Më 2 dhjetor 2024, “CLASTERTECH SH.P.K.” ka paraqitur një ankesë kundër vendimit për dhënien e kontratës, duke pretenduar se kompania fituese nuk përmbush kërkesat teknike të përcaktuara në dosjen e tenderit. Edhe pse ankesa u hodh poshtë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut, çështja u drejtua më tej në OSHP. Ky organ ka autorizuar një panel ekspertësh për të shqyrtuar pretendimet.
Në vendimin e ekspertëve, të siguruar nga Demokracia.com, rekomandohet anulimi i njoftimit për dhënien e kontratës dhe kthimi i lëndës për rivlerësim.

Shkeljet e evidentuara
Ekspertët e OSHP-së kanë identifikuar disa shkelje të rëndësishme:
Mungesa e porteve USB të kërkuara
Dosja e tenderit kërkonte që kompjuterët të posedonin së paku:
-
- 1 port USB 3.2C;
- 3 porte USB 3.2 Gen 1.
Kompania fituese kishte ofruar një produkt që, ndonëse përmbushte numrin total të porteve USB duke përfshirë një sistem të jashtëm docking, nuk përmbushte kërkesat për tipin dhe shpejtësinë e porteve, siç përcaktohet në specifikacionet teknike.
Kamera jo në përputhje me specifikimet
Tenderi kërkonte që kompjuterët të posedonin një kamerë me rezolucion minimum 1080p, ndërsa kompania fituese kishte ofruar një model me kamerë 720p. Ekspertët teknikë kanë konstatuar se kjo është në kundërshtim me kërkesat teknike të përcaktuara nga autoriteti kontraktues. Për më tepër, edhe pse komuna pretendoi se rezolucioni më i ulët nuk ndikon në përdorimin e përditshëm të kompjuterëve, kjo arsyetim nuk u konsiderua i vlefshëm.
Mosrespektimi i plotë i kërkesave teknike
Ekspertët vërejtën se disa pretendime të ankimuesit nuk ishin trajtuar nga komuna, duke konfirmuar kështu shkelje në procesin e vlerësimit.
Paneli shqyrtues i OSHP-së pritet të vendosë përfundimisht mbi këtë çështje. /Demokracia.com/
