Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s sot e ka konfirmuar vendimin se Shqipëria dhe Serbia do të jenë organizatorët e Kampionatit Evropian 2027, në kategorinë U21.
Lajmi u bë i ditur po ashtu edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në njoftimin e lëshuar nga FSHF-ja nuk përmendet Serbia askund si organizatore.
Me këtë rast u deklarua edhe presidenti Armand Duka, i cili tha se ky organizim do të jetë më tepër se një turne futbolli.
“Ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”, tha Duka.
“Ky do të jetë eventi më i madh sportiv në historinë e Shqipërisë. Prandaj, ai na jep mundësinë që, me mbështetjen e UEFA-s, të modernizojmë stadiumet dhe infrastrukturën e futbollit në të gjithë vendin. Gjithashtu, ky organizim do të krijojë një trashëgimi të qëndrueshme për të frymëzuar brezat e ardhshëm të lojtarëve, vullnetarëve dhe tifozëve në të dyja vendet”.
“Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, “Elbasan Arena” në Elbasan dhe “Arena Egnatia” në Rrogozhinë”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.