E futën në veturë dhe e vodhën nën kërcënimin e sëpatës, aktakuzë ndaj dy personave në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve A.I. dhe E.D., pasi që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Grabitja’’.

Sipas aktakuzës, “të pandehurit A.I. dhe E.D., me datën 18 janar 2025, në Gjilan, me qëllim të dobisë pasurore të kundërligjshme, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze, me mjet të rrezikshëm sëpatë dhe thikë, kryejnë grabitje në dëm të të dëmtuarit A.A, në atë mënyrë që fillimisht e thërrasin të takohen, hyjnë në veturën e tij dhe kërkojnë nga i njëjti që të lëvizë në drejtim të parkingut të banesave, ku pasi i dëmtuari kundërshton, i pandehuri A.I. nën kërcënimin e sëpatës, ndërsa i pandehuri E.D., nën kërcënimin e thikës, arrijnë që të njëjtit nga qafa t’ia marrin zinxhirin e arit, tentojnë t’ia marrin edhe zinxhirin e dorës, e më pas në veturë marrin edhe një orë dore, zbresin nga vetura e të dëmtuarit dhe largohen nga vendi i ngjarjes”.

Të pandehurit sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan gjenden në masën e paraburgimit që nga data 19 janar 2025.