E çuditshme: VV-së i kthehet besimi në prokurori, në kor i kërkojnë prokurorisë t`i hetojë votat me postë

Partia në pushtet, e cila në këtë mandat brutalisht ka sulmuar Prokurorinë e Shtetit, tani ka një qëndrim ndryshe ndaj këtij institucioni të pavarur.

Në 24 orët e fundit, duket se Lëvizjes Vetëvendosje i është kthyer besimin në organin e akuzës. Publikimi i një komunikimi në mes të zyrtarëve të LDK-së, i cili flet për mundësinë e manipulimit të votave, ka bërë që zyrtarët e lartë të VV-së t`i bëjnë thirrjes prokurorisë që të nis hetimin ndaj votave të diasporës.

Këtij korit i është bashkuar edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka thënë se prokuroria me urgjencë duhet të zgjerojë hetimin për këtë çështje.

“PZAP dhe Gjykata Supreme e kanë pasur për detyrë ruajtjen e vullnetin të qytetarëve, megjithatë, ndonëse ishin të vetëdijshëm për skemën kriminale përmes votave me postë, ata refuzuan qëllimisht të kryenin detyrat e tyre. Ata mbyllën sytë përballë këtij krimi. Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë dhe të zgjerojë hetimet edhe ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së dhe ndaj ekipit të përfshirë në këtë skemë kriminale dhe të sjellë para drejtësisë çdo person të përfshirë në këtë krim. Vullneti i qytetarëve duhet të mbrohet me çdo çmim!”, ka shkruar Haxhiu.

Kurse, zëvendësi i saj, Blerim Sallhu, ka vlerësuar se prokuroria duhet t`i hetojë edhe zyrtarët e PZAP-së dhe ata të Gjykatës Supreme.

Sipas tij, ata rrezuan në mënyrë të kundërligjshme ankesën e VV-së.

“Kur e patëm dorëzuar ankesën në PZAP, para mediave pata thënë se manipulimi i votave me postë është skemë kriminale e organizuar nga udhëheqja e LDK-së. Pra, ashtu edhe doli! Tash, Gjykata Kushtetuese duhet së shpejti të marrë masë të përkohshme ndaj aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe njëkohësisht PSRK përveç kryesisë të LDK-së, duhet t’i hetojë edhe anëtarët e PZAP-së bashkë me ata të Supremes të cilët në mënyrë të kundërligjshme e kanë legalizuar dhe legjitimuar manipulimin kriminal të votave të udhëhequr nga udhëheqja e LDK-së!”, ka shkruar Sallahu.

Veprimin e prokurorisë e ka kërkuar edhe deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi.

“Dyshimet e forta për vjedhjen dhe manipulimin e votave të mërgatës nga ana e LDK-së janë një goditje e rëndë për demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve. Përveç komunikimeve në ëhatsApp, tash doli edhe komunikimi i grupit të kryesise së LDK-së në viber. Si për habi Lumiri dhe Doarsa (projektuesit e manipulimit) po heshtin për këto akuza… Për këta dy, dorëheqja dhe vetëdorzimi në polici është e pakta që duhet bërë. Institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë menjëherë për të hetuar këto pretendime dhe për të ndëshkuar fajtorët. Vota është e shenjtë dhe askush nuk guxon ta prekë apo ta manipulojë atë”, ka shkruar ajo në profilin e saj në Facebook.

Për këtë çështje nuk ka heshtur as koordinatorja e komiteteve në VV, Dejona Mihali.

Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se VV-ja pret drejtësi për këtë rast.

“Ne e kemi dërguar në kushtetuese këtë rast. Presim masën e përkohshme për ta larguar këtë turp dhe dëm të organizuar nga krerët e LDK-së. Amnistuar nga PZAP, Supremja, krejt deputetët dhe anëtarët e KQZ nga subjektet opozitare që kishin të drejtë ankese. Lëvizja VETËVENDOSJE! kurdo që ka denoncuar sado me vonesë ka dalë në dritë e vërteta. Nuk ka për të vonuar edhe këtë herë”, ka shkruar Mihali.