Drejtoresha e Drejtorisë së Financave në Gjilan, Herolinda Murati-Leka, ka dhënë zyrtarisht dorëheqjen.
Dorëheqja e saj ka nxitur reagime nga partitë opozitare në këtë komunë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate deklaron se dorëheqja e saj konfirmon dështimet e qeverisjes lokale, duke e krahasuar situatën me një “shitore të thyer”, ku është thyer edhe dera e buxhetit.
“Atë që Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan e ka thënë në vazhdimësi, drejtoresha e Buxhetit, zonja Herolinda Murati-Leka, e faktoi sot, pasi fatkeqësisht kjo parti edhe zyrtarisht e shpalli Komunën e Gjilanit si shitore të thyer, e cila më pas u detyrua të japë dorëheqjen,” thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv
Sipas LDK-së, abuzimi në qeverisjen lokale po vazhdon, ndërsa shqetësimi më i madh mbetet menaxhimi i buxhetit, i cili sipas tyre përfaqëson ruajtjen e parave të qytetarëve.
Ky subjekt politik, po ashtu rikujton se Komuna e Gjilanit, prej tre vitesh, është penalizuar nga të gjitha grantet, si ato të Qeverisë qendrore, ashtu edhe nga organizatat e shteteve të fuqishme evropiane.