Diplomacia alla-Albin e alla-Gërvalla dështon sërish në Këshillin e Evropës

Ndonëse kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është cunguar në kërkesë për statusin e mysafirit special – që nuk ka të drejtë vote – 21 deputetë sot kanë votuar për heqjen e saj nga rendi i ditës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Shumica e tyre vinin nga vende mosnjohëse si Spanja, Qipro e Bosnja, por edhe deputetë nga Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Hungaria, Austria, Suedia e Lituania u bënë bashkë me ta.

Col Mehmeti

Kërkesa e Kosovës që të ketë statusin e mysafirit të veçantë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ka rezultuar e kotë.

Ky zhvillim ndodhi sot me rastin e një mbledhje të Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate ndërkombëtare.

Kaq ka mjaftuar që lajmi të përshkojë mediat serbe e të paraqitet si sukses i diplomacisë së Beogradit.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka dhënë jehonë kësaj përmes njoftimit të saj se kërkesa e Kosovës që të jetë mysafire e veçantë është hequr nga rendi i ditës në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Nga njoftimet e para bëhet e ditur se 21 anëtarë të Komitetit të Asamblesë Parlamentare kanë votuar për heqjen e kërkesës së Kosovës, dhe vetëm 10 të tjerë kanë qenë në favor të përfshirjes në agjendën e ditës.

Serbët e shpallin një “fitore të vogël”

Biljana Pantiq-Pilja, kryesuese e delegacionit serb në PACE, ka thënë se heqja e kërkesës është bërë e mundur falë anëtarëve nga Spanja e Qipro, por edhe të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

“Kjo është një fitore e vogël për ne. Ne ia dolëm ta mënjanojmë kërkesën e Kosovës me ndihmën e madhe të kolegëve tanë prej Spanje, veçmas nga Pablo Hispan.

Heqja e kërkesës u votua edhe prej deputetëve të Qipros, aleatëve tanë tradicionalë, por edhe nga deputetë prej vendesh që e njohin Kosovën si Hungaria dhe Gjermania, si Andrej Hunko. Zëri i tyre u dëgjua sot”, ka thënë Pantiq-Pilja në një prononcim për mediumin ‘Kosovo Online’.

Humbin votat edhe nga vendet mike

Ajo çka bie në sy është se së paku 10 deputetë nga vende që e njohin Kosovën kanë votuar për heqjen e Kosovës nga rendi i ditës.

Të tillë kanë qenë dy nga Britania e Madhe, Richard Baker dhe Don Touhig, kurse nga Gjermania, Andrej Hunko.

Dorën për heqjen e kërkesës së Kosovës nga rendi i ditës e kanë ngritur edhe deputeti nga Hungaria, Zsolt Németh; nga Austria Martin Graf; Suedia Boriana Åberg; Portugalia Ricardo Carvalho; Italia Bergamini Debora e Elizabeta Gardini, si dhe nga Lituania Birutė Vėsaitė.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e votave kundër Kosovës erdhën nga vendet mosnjohëse: Pablo Hispaniola, Guterres Lemones, Gonzalo Robleso dhe Guterres Prieto (Spanjë); Sorin-Titus Muncaciu dhe Titus Corlaten (Rumani), Nikos Tornaritis dhe Georgi Lukaides (Qipro) dhe Miroslav Vujiçiq (Bosnjë).

Në anën tjetër, pavarësisht se vinin nga vende që nuk e njohin Kosovën, deputetët Iulian Bulai (Rumani) dhe Jelisaveta Jasko (Ukrainë) votuan që Kosova të procedojë me kërkesën e saj.

Kosova ngelet në statusin e ‘delegacionit dytësor’ në Asamblenë e KE-së

Një zhvillim si ky në Komitetin Politik e lë Kosovën në statusin e ‘delegacionit dytësor’ në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Kërkesa për të fituar statusin e mysafirit të veçantë në PACE u zërua përmes një letre të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.

Kjo kishte pasuar përpjekjen e pasuksesshme të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, anipse Qeveria e Kosovës kishte plotësuar kushtin për anëtarësim—ai ishte zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit.

Pavarësisht kësaj, disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës dolën me kërkesën që Prishtina të procedonte projektstatutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Edhe sikur Kosova të merrte statusin e mysafirit special, kompetencat e saj do të ishin tejet të kufizuara.

Në pikën 62.7 të Rregullores së Asamblesë Parlamentare për mysafirët specialë thuhet se anëtarët e delegacioneve të tilla mund të ulen në Asamble, por nuk kanë të drejtë të votojnë.

“Ata kanë të drejtë të flasin me autorizimin e presidentit të Asamblesë”, thuhet në këtë pikë.