Dërgohet në paraburgim i dyshuari për “vrasje të mbetur në tentativë” në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimin prej 30 ditësh ndaj të pandehurit P.B., për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”.

Gjykata tha se më 20 dhjetor të këtij viti, në Gjakovë, i pandehuri P.B., me dashje ka dashur ta privojë nga jeta të dëmtuarin Gj.B., për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme.

Sipas njoftimit, i pandehuri P.B., pasi ka takuar të dëmtuarin Gj.B., pas një fjalosjeje, e ka nxjerr psitoletën dhe ka shtënë në drejtim të tij duke e qëlluar në pjesë vitale të trupit.

“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ” Vrasja” e mbetur në tentativë, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake Ilir Rashkaj, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase kemi të bëjmë me vepra penale të  rënda, ashtu që me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, i ndikimit në prova dhe rreziku i ikjes”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, bëhet e ditur se i pandehuri do të jetë në paraburgim deri më 19 janar të vitit 2025.