Eguen Cakolli nga Demokracia në Veprim ka kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për mos mbajtje të fjalëve në procesin e fundit zgjedhor, sidomos për sa i përket rezultateve.
Cakolli tha se beson, ashtu siç ka paralajmëruar KQZ-ja, se nesër do të shpallen rezultatet përfundimtare, madje tha se nuk e kupton se pse një gjë e tillë nuk është bërë sot.
“Nuk e kuptoj pse nuk është bërë sot, pasi teknikisht dhe proceduralisht KQZ-ja ka pasur mundësi qysh sot t’i shpall rezultatet përfundimtare që janë vetëm hapi i parë në një seri të procedurave tjera para se të përmbyllet në tërësi procesi zgjedhor”.
“E këtu pa aluduar se mund të ketë ose jo vendime ose nga PZAP-ja ose Supremja për ndonjë rinumërim apo anulim a diçka tjetër”, tha Cakolli në “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Më tej, Cakolli tha se nëse nesër shpallen rezultatet, atëherë janë të paktën 12 ditë që PZAP dhe Gjykata Supreme të vendosin për çështje të caktuara.
“Gjashtë ditë i ka PZAP, ku 48 orë janë për ankesa e që unë pres minimalisht qindra ankesa, pra pres që numri i ankesave ta kalojë numrin dyshifror, do të jetë sigurt treshifror”.
“Nga ajo që kemi parë në këtë periudhë, ka një numër të madh të kandidatëve që kanë shprehur pakënaqësi, mosbesim, kanë hedhur dyshime e madje ka pasur aludime të rënda për manipulim të procesit, sidomos atij jashtë vendit në përmasa industriale”, tha Cakolli, njofton Klankosova.tv.
Cakolli foli edhe për çështjen e votave me postë, ku tha se në bazë të provave që janë dorëzuar në PZAP, është shumë problem që të merret ndonjë veprim për anulimin e tyre.