BIK dhe “Mbreti Selman” do t’u dhurojnë 500 fëmijëve jetimë nga 50 euro në muaj për një vit

Bashkësia Islame e Kosovës ka inauguruar projektin “Përkujdesja ndaj jetimëve të Republikës së Kosovës”.

Ky projekt është i organizuar në bashkëpunim me Qendrën e “Mbretit Selman” të Mbretërisë së Arabisë Saudite.

Siç thuhet, 500 fëmijëve jetimë në Kosovë, pa asnjë dallim, do t’u dhurohen nga 50 euro për çdo muaj për një vit radhazi.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, falënderoi Qendrën e “Mbretit Selman” për këtë projekt, por edhe për, siç tha, ndihmat e vazhdueshme që kanë dhënë përgjatë viteve për popullin e Kosovës.

Tërnava tha se synimi i tij është që nga viti i ardhshëm të rritet numri i jetimëve që do të ndihmohen.

“Bashkësia Islame e Kosovës përgjatë gjithë vitit, së bashku me Shoqatën ‘Bereqeti’ pandërprerë ka qenë pranë secilës familje në nevojë, mirëpo ndihma ndaj fëmijëve jetimë zë një vend edhe më të veçantë”, u tha në njoftimin e BIK-ut.