BeH notë proteste Serbisë, Beogradi: Mirëpritët Kurtin, e neve na akuzoni për shkelje të integritetit territorial

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjës dhe Hercegovinës i dërgoi një notë proteste Republikës së Serbisë për shkak të pranisë së anëtarëve të qeverisë serbe në festën e 9 janarit, “Ditës së Republikës Sërpska”, e cila u shpall antikushtetuese me vendim të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së.

Siç raporton agjencia e lajmeve “Anadolu”, nota i është dorëzuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë përmes Ambasadës së BeH-së në Beograd dhe Ambasadës së Serbisë në Sarajevë, raporton Klankosova.tv.

E për këtë ka reaguar MPJ-ja serbe, duke u shprehur “e shqetësuar” me përmbajtjen dhe synimin e një, siç e quajtën, demarshi të tillë diplomatik.

Në reagim, duke iu referuar ngjarjeve dhe veprimeve të fundit të Sarajevës zyrtare, u theksua se kjo paraqet edhe një konfirmim se autorët e asaj note nuk janë të interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore.

“Është e pabesueshme dhe thellësisht shqetësuese që autoritetet në Sarajevë e shohin të arsyeshme t’i dërgojnë nota proteste Serbisë, duke mirëpritur në të njëjtën kohë zyrtarisht Albin Kurtin, politikat dhe veprimet e të cilit shkelin qartë sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Ky akt paraqet një mospërfillje flagrante të qëndrimit të Serbisë për çështjen e Kosovës, qëndrim i cili bazohet fuqishëm në të drejtën ndërkombëtare dhe i mbështetur nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet mes tjerash në një deklaratë të MPJ-së serbe.

U tha po ashtu se pritja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Sarajevë nuk ishte vetëm një fyerje e njëhershme për Serbinë, por edhe një precedent i rrezikshëm që cenon stabilitetin rajonal dhe respektin reciprok.

“Me atë akt, Sarajeva me vetëdije ka injoruar interesat ligjore dhe legjitime të Serbisë, duke i ngarkuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Prandaj dërgimi dhe publikimi i notës së lartpërmendur paraqet vetëm një konfirmim tjetër se autorët e saj nuk janë të interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunimin shumë të nevojshëm dhe respektin e ndërsjellë, por vetëm për një raund tjetër grindjesh mediatike në të cilat ata shpresojnë të fitojnë pikë politike, duke nënvlerësuar publikun si Bosnjën ashtu edhe Serbinë”, thekson MPJ e Serbisë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë-Hercegovinës, e kryesuar nga Elmedin Konakoviq, i ka dërguar një notë proteste Serbisë për pjesëmarrjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë të udhëhequr nga kryeministri Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e Kuvendit Kombëtar Ana Bërnabiq në shënimin e 9 janarit, Dita antikushtetuese të Republikës Sërpska.

Delegacioni serb kishte bërë kërkesë ndaj Sarajevës zyrtare që të fluturojë me helikopter drejt Banjallukës (kryeqytetit të entitetit Republika Sërpska), por që kjo kërkesë ishte refuzuar nga institucionet e BeH-së.