Bedri Hamza për arsimin: Duhet të prodhojmë kuadro për nevojat e ekonomisë së tregut

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, e ka postuar një video nga një takim me mësimdhënës, të cilëve u ka thënë se nuk ka titull ma të lartë se mësues, arsimtar dhe profesor.

“Ne do të investojmë në arsim. Edhe në infrastrukturën shkollore, edhe në pajisjen e shkollave me laboratore, edhe në ndryshimin e kurrikulave, edhe në hapjen e drejtimeve të reja, edhe në mësimin dual, edhe në ndërlidhjen e arsimit me punën praktike. Krejt qëllimi është që ne të prodhojmë kuadro për nevojat e ekonomisë së tregut”, dëgjohet duke thënë Hamza.

Ndërsa, në përshkrimin e kësaj videoje shkruan se nxënësve dhe studentëve do u ofrohet dija, shkathtësitë dhe mundësitë që u nevojiten për të pasur sukses dhe për ta arritur potencialin e plotë në Kosovë.

“Çdo nxënësi dhe studenti do t’ia ofrojmë dijen, shkathtësitë dhe mundësitë që u nevojiten për të pasur sukses dhe për ta arritur potencialin e plotë në vendin tonë”, ka shkruar Hamza.