Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Kështu ka ndodhur mbrëmë në Ferizaj, ku gjashtë persona kanë përfunduar në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Tre vëllezër në njërën anë dhe në anën tjetër një 48-vjeçar me djemtë e tij dyshohen të jenë të përfshirë në këtë rast.
Sinjali mëson se fillimisht babai i dyshuar bashkë me dy djemtë e tij e kishin ndaluar një të mitur te lokali i tyre, për shkak se i njëjti kishte pasur një konflikt kohë më parë me njërin prej djemve të tij, po ashtu i mitur.
Rasti eskaloi kur të miturit që e ndaluan i doli në krah vëllai i tij dhe për pasojë katër të dyshuarit u përleshën mes vete.
Sipas të njëjtave burime, në sherr janë përfshirë më pas edhe dy vëllezërit e tjerë të 15-vjeçarit, të cilët dyshohet se shkuan të lokali i palës tjetër dhe iu shkaktuan dëme.
Pasi është siguruar prezenca e të gjithë të dyshuarve, të njëjtit janë intervistuar dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy prej tyre janë ndaluar për 48 orë.