Krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë refuzuar takimin me Avokatin e Popullit të Gjykatës Speciale në Hagë. Ata kanë deklaruar se nuk shohin asnjë arsye për një takim të tillë, duke e akuzuar këtë institucion për heshtje dhe mosveprim përballë shkeljeve që, sipas tyre, janë kryer ndaj tyre gjatë paraburgimit.
Të akuzuarit pretendojnë se janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore nga Njësia e Paraburgimit dhe se kanë pësuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, të cilat janë injoruar nga Avokati i Popullit, pavarësisht mandatit të tij për t’i adresuar ato.
Ndërkohë, procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023 në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ata ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përndjekje, torturë, burgim të paligjshëm dhe zhdukje me forcë të personave. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm në seancën e parë të gjykimit. Gjykata ka refuzuar vazhdimisht kërkesat për lirimin e tyre me arsyetimin se ekziston rreziku për pengim të drejtësisë.
Qelaj: Kam shprehur shqetësimet e mia për procesin gjyqësor në Hagë
Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, në një prononcim për FrontOnline ka shprehur shqetësimin për mënyrën si po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë dhe për trajtimin e të paraburgosurve. Ai ka theksuar se gjatë një vizite të tij atje ka marrë vetë disa shqetësime drejtpërdrejt nga krerët e UÇK-së dhe ka shtuar se institucioni i Avokatit të Popullit në Hagë nuk i përmbush standardet që nevojiten për t’u konsideruar një institucion i pavarur i të drejtave të njeriut, ashtu siç duhet të jetë dhe siç funksionon në Kosovë.
‘’Unë veçse kam shprehur shqetësimet e mia për procesin gjyqësor atje. Për mua institucioni i Avokatit të Popullit në Hagë nuk i plotëson standardet për t’u konsideruar avokat i popullit, si institucion i pavarur i të drejtave të njeriut siç duhet të jetë dhe siç është në Kosovë’’, tha ai.
Qerkini: Refuzimi i vizitës nga Avokati i Popullit në Hagë është e drejtë e ish- krerëve të UÇK-së
Avokati Artan Qerkini e ka mbështetur refuzimin e vizitës nga të akuzuarit, duke e cilësuar atë si të drejtë të plotë të tyre. Sipas tij, Thaçi dhe të paraburgosurit e tjerë nuk janë të kënaqur me punën e Avokatit të Popullit në Hagë, pasi një sërë ankesash të parashtruara prej tyre lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut nuk janë trajtuar.
‘’Refuzimi i vizitës nga avokati i popullit në Hagë është e drejtë e të pandehurit Thaci dhe të paraburgosurit e tjerë duket se nuk janë të kënaqur me punën e Avokatit sepse ata i kanë pasur një sërë ankesash lidhur me të drejtat e njeriut e këto ankesa nuk janë trajtuar nga ky avokat’’, tha Qerkini.
Sipas Qerkinit refuzimi është e drejtë e tyre dhe ata nuk e kanë për obligim ta pranojnë vizitën e avokatit të popullit
‘’ Kjo është e drejtë e tyre, nuk e kanë obligim që ta pranojnë në vizitë’’, deklaroi Qerkini.
Qerkini gjithashtu ka sqaruar se aktualisht procesi ndodhet në fazën e kërkesës së mbrojtjes për hedhjen poshtë të disa pikave të aktakuzës. Kjo kërkesë i është dorëzuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, e cila duhet të japë përgjigje, dhe më pas do të jetë Gjykata që do të vendosë brenda një afati të arsyeshëm se si do të procedohet më tej.
‘’Tani jemi në fazën e kërkesës së mbrojtjes për hedhjen e disa pikave të aktakuzës natyrisht procedura është e tillë që kjo kërkesë duhet t’i dërgohet edhe zyrës së prokurorit të specializuar në mënyrë që ajo zyrë të japë përgjigje, ndërsa në anën tjetër pritet që gjykata të vendosë Brenda një afati të arsyeshëm në lidhje me këto kërkesa dhe pastaj do të ketë qartësi në çfarë drejtimi shkon procedura’’, përfundoi ai.
Jashari: Dhomat e Specializuara nuk i kanë përmbushur pritshmëritë për gjykim të drejtë
Avokati Arber Jashari konsideron se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk i kanë përmbushur pritshmëritë për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme, që është një prej parimeve bazë të së drejtës.
‘’Konsideroj se Dhomat e Specializuara, nuk i kanë përmbushur pritshmëritë për një gjykim të drejtë dhe ne kohë të arsyeshme, që është një prej parimeve bazë të se drejtës’’, tha avokati Jashari.
Ai thotë se procesi i stërzgjatur, shpeshherë i shoqëruar me mungesë transparence, si dhe refuzimi i gjykatës për të lejuar që të akuzuarit të mbrohen në liri ose me masa alternative më të lehta sesa paraburgimi, pa arsye bindëse, kanë dëmtuar besimin në këtë institucion.
‘’ Procesi i stërzgjatur, i përcjellë shpeshherë edhe me mungesë transparence si dhe refuzimi i gjykatës që të akuzuarit të mbrohen në liri ose nën ndonjë masë tjetër alternative me te lehtë, se ajo e paraburgimit, pa ndonjë arsye bindëse, e kanë zbehur teje mase besimin në këtë institucion’’, deklaron ai.
Po ashtu Jashari përmend shqetësimet e publikut kosovar lidhur me vizitat dhe trajtimin e të paraburgosurve në ambientet e paraburgimit.
‘’Po ashtu publiku kosovar i ka përcjellë me shqetësimit edhe raportimet qe kanë të bëjnë me vizitat e te paraburgosurve si dhe tretmanin e tyre në ambientet e paraburgimit’’, përfundoi Jashari./frontonline.net
