Një hipotezë, e cila po kthehet në fakt në një opsion vërtetë të mundshëm në minutat e fundit. Dy burime siriane kanë thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se avioni me të cilin Bashar al-Assad po ikte nga Damasku është rrëzuar dhe kësisoj diktatori sirian ka mbetur i vrarë në këtë rrëzim.
E gjitha vjen pasi nuk ka asnjë gjurmë të Assad askund, teksa rebelët kanë marrë kontrollin e Damaskut orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit dhe kanë shpallur rënien e regjimit diktatorial të Assad.
Avioni ushtarak me të cilin Assad pretendohet se iku nga Damasku, u gjurmua përmes faqeve të ndryshme të gjurmimit të avionëve me mjete satelitore.
Avioni fillimisht fluturoi drejt rajonit bregdetar të Sirisë, një bastion i sektit alavit të Assadit, por më pas bëri një kthesë të papritur dhe fluturoi në drejtim të kundërt për disa minuta përpara se të zhdukej nga harta.
Kjo shtyn ekspertët e shumtë, por edhe burime nga brenda Sirisë, të mendojnë se në fakt avioni është rrëzuar dhe Assad ka vdekur në këtë rrëzim. Një tjetër hipotezë është edhe ajo se rebelët në afërsi të rajonit Homs, ta kenë goditur dhe më pas rrëzuar avionin.
Gjithçka mbetet për t’u verifikuar.
Çfarë po ndodh në Siri?
Në një kthesë të paprecedente ngjarjesh brenda pak ditësh, rebelët në Siri kanë arritur të marrin kontrollin e shteteve kyçe, mes të cilëve dhe kryeqyteti, Damasku, duke shpallur kështu përfundimisht fundit e regjimit të diktatorit Bashar al-Assad.
Në orët e vona të natës, grupimet e para të rebelëve ishin në zonat përreth Damaskut, teksa pas mesnate filloi edhe marrja e rrethinave të para, pa rezistencë nga Ushtria siriane, e cila duket se e ka braktisur detyrën dhe është kthyer në popullatë civile, ose ka dezertuar në Irak.
Avancimi vijoi më tej në orët e para të mëngjesit me orën vendore siriane, ku rebelët shpallën marrjen e Damaskut dhe u gjendën përpara portave të godinës presidenciale të Assad, siç raportohet krejtësisht e boshatisur.
Edhe pse ishte lajmëruar se Assad do të mbante një fjalë që dje në orët e mbrëmjes, diçka e tillë nuk ndodhi, me raportime se ai ishte arratisur drejt Emirateve të Bashkuara Arabe me një avion privat.
Këto raportime filluan të hidheshin poshtë dhe komente dolën në sipërfaqe se Assad vijonte të ishte në Damask.
Nga sa mund të thuhet, versioni i fundit jozyrtar është ai se përpara rënies së Damaskut, Assad ka hipur në një avion ushtarak nga aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit sirian, drejt një vendodhje të panjohur. Mirëpo avioni në mes fluturimi, në afërsi të rajonit të Homs, në perëndim të tij, ka humbur gjurmët nga radari, me hipoteza që variojnë nga një ulje e detyruar në përplasje.
Fati i Assad mbetet një mister për kohën e shkrimit të këtij artikulli, me përditësime të pritshme gjatë ditës.
Ishte më pas kryeministri sirian, Mohammad Ghazi al-Jalali, ai i cili bëri një adresim publik në formatin video, duke thënë se ishte në Damask dhe ishte i gatshëm të transferonte pushtetin me bashkëpunim, kundrejt kujtdo lidershipi që populli sirian vendos t’i japë votën.
Vetë rebelët sirianë ndërkaq pretendojnë se kanë pushtuar kryeqytetin e Damaskut, duke njoftuar rënien e regjimit të al-Assadit, sipas raporteve të Reuters dhe Al Jazeera.
“Tirani Bashar al-Assad ka ikur”, tha opozita e armatosur në një deklaratë. “Ne e shpallim Damaskun të lirë nga tirani Bashar al-Assad”.
Reagime të menjëhershme ndërkohë kanë ardhur edhe Izraeli, me deklarata se shteti hebre nuk ka ndërmend të ndërhyjë në ngjarjet e fundit në Siri. Megjithatë, në zonën veriore, në lartësitë Golan, ka një mobilizim të shtuar nga IDF, ku janë futur edhe brenda territorit sirian, për të krijuar një barrierë të mundshme kundër infiltrimit të rebelëve sirianë.