Të mërkurën dhe enjten e kaluar në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë u organizua Final Four i Ligës Unike për Meshkuj ku në gjysmëfinale u takuan Vëllaznimi me Golden Eagle Yllin dhe Sigal Prishtina me Besëlidhjen ndërkohë në finale u ndeshën për herë të parë në histori të kësaj gare, Vëllaznimi dhe Sigal Prishtina.
Kuqezinjtë luftonin për trofeun e parë që nga viti 1996 kur për herë të fundit kishin fituar Kupën e Kosovës dhe nga ana tjetër Sigal Prishtina e cila në thesarin e vet rekord me 40 trofe kërkonte kupën nr.41 dhe të parën e Ligës Unike që i mungonte.
Ishte kjo një finale antologjike, dramatike dhe fantastike e cila shkoi në vazhdime dhe në fund ishin kuqezinjtë ata që u gëzuan.
Me katërshen e mysafirëve sonte, ne do ta diskutojmë dhe analizojmë këtë ngjarje dhe sukses historik për sportin e Gjakovës , në përgjithësi.
Si e kujton “Bim” Kumnova finalen e vitit 1996 dhe ngritjen e Kupës në periudhën e okupimit të Kosovës ?
Çfarë do të thotë ky trofe për kryetarin Ideal Bakija i cili pas vetëm tri viteve të riorganizimit me shokët e tjerë të Bordit të Klubit i sollën trofeun e pritur gati tri dekada ?
Çfarë domethënie ka për kapitenin Atik Kosohin ky trofe kur dihet se para 29 viteve ishte babai i tij Burimi ai i cili si zyrtar klubi ndihmoi në fitoren e Kupës?
Çfarë rëndësie ka ky trofe për Don Polloshkën i cili pas dy lëndimeve dhe operimeve të rënda iu rikthye parketit për ta udhëheq ekipin kuqezi drejt trofeut të parë që nga 1996-ta?
Gjitha këto dhe shumë më tepër në bisedën me mysafirët special sonte në ASISTIN 612
Ideal Bakija, kryetari i klubit Vëllaznimi i cili me bashkëpuntorët e tij të Bordit bënë mrekulli për vetëm 3 vite, Shkumbin Kumnova, drejtori aktual sportiv dhe ish-lojtar i cili ngriti Kupën e Kosovës 1996 me Vëllaznimin, Atik Koshi, kapiteni i Vëllaznimit dhe Don Polloshka, truri i skuadrës dhe ardhja e të cilit në Vëllaznim solli një filozofi tjetër kurse shpërthimi i tij në fund të finales, solli serinë triumfale.
Pjesa e dytë e emisionit i dedikohet elitës së basketbollit kosovar dhe xhiros 26 të ProCredit Superligës e cila solli përsëri ndeshje emocionuese.
Ishte sërish Vëllaznimi ai i cili u kujdes për dramë dhe vazhdime , kësaj here në Shani Nushi para publikut të vet së bashku me debutuesen në elitë, KB Bora na përgatiten dramë dhe show basketbolli kurse skuadra më nxehtë aktualisht, Golden Eagle Ylli u kujdes që si mysafire të rrëzon edhe skuadrën e katërt rresht të Katërshes së madhe historike, kësaj here duke mposhtur liderin Bashkimin.
Në Karagaq, ishim dëshmitar të klasikës midis Pejës e Sigal Prishtinës ku “verdhezinjtë” deklasuan “bardhekaltrit” për të forcuar pozitën në tabelë ndërsa Trepça pas disfatës së Bashkimit, mposhti Proton Cable Prizrenin i cili edhe zyrtarisht u përshëndet nga elita kurse kampionia aktuale sërish u afrua në vetëm një pikë ndaj Bashkimit dhe po e vazhdon gjahun në vendin e parë.
Gjitha këto në përmbledhjet dhe analizat e detajuara të cilat kompletohen me Pesëshen dhe MVP-in e Javës në ASIST.