Arrestohet ish-ministri shqiptar në RMV për tragjedinë në Koçan

Ish-ministri i Ekonomisë është në mesin e të dyshuarëve për aspektet që çuan deri tek zjarri vdekjeprurës në klubin e natës në Koçan.

Kreshnik Bekteshi, ish-ministër i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, është shoqëruar për në stacionin policor për t’u intervistuar rreth tragjedisë në Koçan, ka raportuar transmetuesi “Alsat” të hënën. Ai është në mesin e 23 të dyshuarve për tragjedinë në diskotekën “Pulse” ku humbën jetën 59 persona e të paktën 155 të tjerë u lënduan.

Nga 23 personat e dyshuar, 11 prej tyre ndodhen në paraburgim, teksa autoritetet maqedonase kanë deklaruar se hetimet për të gjitha aspektet dhe problemet që çuan në këtë tragjedi janë duke vazhduar. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, ka deklaruar se do të ketë përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

Rreth ngjarjes tragjike, autoritetet kanë zbuluar se klubi “Pulse” operonte në mënyrë të paligjshme, pa dokumente të vlefshme pune, pa leje për përdorimin e piroteknikës dhe pa kontratë me grupin muzikor që ka performuar natën e 16 marsit. Gjithashtu, një tjetër shkelje e evidentuar ka qenë edhe lejimi i hyrjes së të miturve në diskotekë.

Ndryshe, qindra qytetarë në Koçan kanë protestuar më 17 mars për të shprehur revoltën e tyre dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat pas tragjedisë në klubin e natës “Pulse” më 16 mars, ku humbën jetën 59 persona, shumica prej të cilëve të rinj.