Një person është arrestuar nga policia në Lezhë me qëllim ekstradimin në Itali.
Mësohet se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, pasi rezultonte pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Terni”, vihet në pranga 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapet në Lezhë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, Serxhio Nikolli, 25-vjeçar, i akuzuar nga autorietet italiane, si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, gjatë operacionit të koduar “Terni”, kanë kapur në qytetin e Lezhës dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin S. N., 25 vjeç, banues në Shënkoll”.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma pasi akuzohet nga Gjykata e Ternit, Itali, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali”, thuhet në njoftimin e policisë.