Policia e Kosovës i ka arrestuar tre persona të enjten nën dyshimin se kanë keqpërdorur kartela bankare. Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike kanë kryer kontrolle në tri lokacione në Prishtinë, ku dy prej të dyshuarve janë shtetas turq, e njëri shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Ata po dyshohen se kanë përfituar jashtëligjshëm duke keqpërdorur kartela bankare të shtetasve të huaj dhe POS-e terminale të bankave vendore.
Në cilësi të provave janë sekuestruar POS terminale, kartela bankare, kartelë bankare të modifikuar, para të gatshme, SIM kartela, vula me mbishkrime të bizneseve, kompjuter, telefona mobilë dhe dokumente si fatura e kuponë fiskalë.
Tre të arrestuarit janë dërguar në ndalim prej 48 orëve. Rasti po hetohet si “lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.