Arrestimi i shtetasit serb për planifikim të vrasjes, Prokuroria po tenton të zbulojë edhe ndonjë të dyshuar tjetër

Prokuroria Themelore e Prishtinës  ka bërë të ditur se është duke vazhduar t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme për serbin R.B., i cili dyshohet se kishte planifikuar vrasjen e një gruaje në Fushë-Kosovë.

Në përgjigjen për Klankosova.tv, ky institucion thekson se më 5 dhjetor kanë bërë bastisjen dhe arrestimin e të dyshuarit.

“Pas një pune hetimore disa mujore të Prokurorit të Shtetit, në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë së Kosovës, me datë 05.12.2024 është kryer bastisje, si dhe arrestimi i një të dyshuari me inicialet R.B., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale përgatitja për kryerjen e veprës penale ‘vrasja’ nga neni 172 lidhur me nenin 27 të KPRK-së, ‘prezantimi i rremë si person zyrtar’ nga neni 409 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘mashtrimi’ nga neni 323 të KPRK-së”.

“Prokurori i shtetit është duke vazhduar t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbulimin edhe të ndonjë të dyshuari tjetër eventual lidhur me këtë rast”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.