Grupi i Pavlovic mbështet Partinë Progresive Serbe në pushtet dhe Vuçiçin, dhe ka organizuar një kamp proqeveritar përpara zyrave të presidentit.
Tre nga 18 personat e dyshuar për përfshirje në një sulm ndaj Milos Pavlovic, lideri i grupit proqeveritar “Studentët që duan të studiojnë”, u vendosën në paraburgim të premten me urdhër të Prokurorisë në Beograd.
Të 18 të dyshuarit u ndaluan pasi Pavlovic, grupi i të cilit është formuar si kundërpërgjigje ndaj studentëve që kanë organizuar protesta masive kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u qëllua me shishe uji të mërkurën në kampusin “Studentski Grad” (Qyteti Studentor) në Beograd.
Grupi i Pavlovic mbështet Partinë Progresive Serbe në pushtet dhe Vuçiçin, dhe ka organizuar një kamp proqeveritar përpara zyrave të presidentit. Ata argumentojnë se okupimet e protestuesve duhet të marrin fund dhe studentët duhet të kthehen në studime.
Të enjten, Vuçiç postoi një video ku shfaqej së bashku me Pavlovic në zyrën presidenciale, duke i akuzuar kundërshtarët e tij si fashistë.
“Të gjithë ata që morën pjesë në linçim… do të përballen me drejtësinë dhe do t’u dërgohet një mesazh i qartë të gjithëve. Shteti ka duruar dhe ka heshtur, por tani do të reagojë. Serbia do të fitojë dhe fashizmi nuk do të lejohet kurrë në Serbi”, tha Vuçiç.
Disa nga të tjerët që u arrestuan në lidhje me incidentin janë ende në stacionin e policisë, duke pritur vendimin nëse do të mbahen në paraburgim apo do të lirohen.
Dy persona të tjerë, të moshës 30 dhe 39 vjeç, u arrestuan për ofendim të oficerëve të policisë gjatë një proteste kundër arrestimeve përpara stacionit të policisë në distriktin e Ri të Beogradit.
Sipas videove të publikuara në internet, Pavlovic dhe shokët e tij po qëndronin në një kafene në “Studentski Grad”, kur studentë të tjerë nisën t’i ofendonin. Pasi ata dolën nga kafeneja, disa persona u hodhën shishe uji.
Pas incidentit, mediat proqeveritare raportuan se Pavlovic dhe një mik i tij ishin plagosur. Ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar, i tha mediave në Serbi, se Pavlovic kishte pësuar lëndime në kokë, gjoks dhe krah, ndërsa miku i tij kishte lëndime në shpinë dhe bark. Ministri e vizitoi personalisht Pavlovic në qendrën emergjente të Beogradit.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd urdhëroi të enjten Prokurorinë Themelore, në bashkëpunim me policinë, që të identifikojë dhe ndjekë penalisht të gjithë ata që të mërkurën “kryerën dhunë ndaj studentëve M.P. dhe V.B. dhe u shkaktuan atyre lëndime trupore”.
