Arifaj komenton gjendjen fizike të Thaçit: Mund të ketë qenë lodhja prej rrugës por edhe situata me të atin

Ardian Arifaj, ish-zëvendës shefi i kabinetit të ish-presidentit Hashim Thaçi, e ka komentuar vizitën e këtij të fundit te babai i tij në QKUK.

Arifaj foli mbi gjendjen fizike të Thaçit, e cila u komentua shumë, duke thënë se sa herë e ka takuar në Hagë, ka qenë i njëjti gjithmonë, i freskët, i kthjellët dhe i palëkundur.

“Unë njëjtë e kam pa edhe këtu, ajo që mund të ketë qenë një lodhje prej rrugës, por sigurisht s’ka ardhur këtu për ndonjë dasmë, por ka ardhur që ta shoh të atin e tij që e ka në një gjendje të rëndë tash e disa muaj”.

“Dhe sigurisht ajo nuk mund ta le pa shenja, pa e prekur, pa i bë përshtypje, pa e bë me u ndje rëndë për atë se në çfarë gjendje e ka gjetur prindin e vet, në çfarë gjendje po e lë prindin e vet”, tha Arifaj në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Më tej, Arifaj tha se Thaçi vazhdon të jetë i njëjti që ka qenë në nëntor të vitit 2020, teksa shtoi se herdo kurdo të kthehet në shtëpi dhe ta vazhdojë “aty ku e ka lënë ëndrrën e vet dhe angazhimin e vet”.

“Thaçi është i njëjti, ai që ka qenë në nëntor të vitit 2020, ka qenë i njëjti edhe kur e kam takuar në Dhomat e Specializuara dhe atë e kam parë edhe këtë javë në Prishtinë, me qëndrimin e njëjtë, që e ka mirë, që e ka drejt dhe herdo kur do të kthehet në shtëpinë e vet dhe ta vazhdojë aty ku e ka lënë ëndrrën e vet dhe angazhimin e vet”, tha ai.